Për takimin e 4 shtatorit në Washtington, Kryeministri Avdullah Hoti mblodhi të martën partnerët e koalicionit për diskutim. Në fund u bë e ditur se Qeveria pret që në këtë takim me Serbinë të shtrohen temat e fundit për normalizimin e marrëdhënieve që më pas do të sillnin shpejt marrëveshjen finale. Kreu i Nismës, Fatmir Limaj ritheksoj se heqja e taksës si dhe ulja sërish në tavolinën e dialogut erdhi pas premtimeve për një marrëveshje për njohje.

Se kush do të jetë pjesë e delegacionit me Hotin, Limaj nuk tregoi e prononcim nuk pati as nga vetë Kryeministri. Tutje Limaj shtoi se zgjedhja e Presidentit nuk ka qenë pjesë e diskutimit si dhe koalicioni vazhdon të jetë stabil.Takimi i katër shtatorit në Shtëpinë e Bardhë vjen pas anulimit të atij të 27 qershorit, si pasojë e mospjesëmarrjes së palës kosovare pas publikimit të aktakuzës së pakonfirmuar nga Gjykata Speciale ndaj  Presidentit, Hashim Thaçi.