Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë kryer 419 inspektime si pjesë e Taskforcës antiCovid, për zbatueshmërinë e protokolleve të sigurisë kundër përhapjes së virusit COVID-19. Gjatë inspektimeve ndaj një subjekti tregtim mishi, është bllokuar një sasi prej 19 kg mish pa vulë dhe certifikatë veterinare, për rrjedhojë është vendosur edhe masë administrative.
Gjithashtu trupat inspektuese gjatë inspektimeve kanë dhënë në biznese të ndryshme ushqimore edhe 22 paralajmërime për mungesë të rinovimit të librezave shëndetësore, rinovim të analizave të ujit, higjienizim të ambienteve të magazinimit, mungesë të shërbimit 3D etj.
Referuar Planit të Marrjes së Mostrave janë marrë 24 mostra kryesisht në monitorim të qumështit për analizim të ngarkesës mikrobike dhe qelizave somatike. AKU vijon punën në terren në garantim të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorit.