Liga e Kampioneve për Juventusin ka qenë negative vetëm në aspektin sportiv. Sa i përket atij financiar, bardhezinjtë nuk janë mes ekipeve që mund të ankohen. Megjithëse u eliminuan më herët se Atatalanta, Ronaldo me shokë i kanë sjellë klubit 86.8 milionë euro përfitime. Për të kuptuar vlerën e kësaj arritjeje, mjafton të themi se Atalanta që u ndal në çerekfinale përfitoi vetëm 56 milionë euro. Edhe Napoli që pati një ecuri të njëjtë me torinezët ka përfituar më shumë se Atalanta, me De Laurentis që ka arkëtuar 65.8 milionë euro. Arritje të ndryshme e vlerësime të ndryshme monetare shpjegojnë faktin se përse Atalanta u shpërblye më pak edhe pse arriti më larg në Champions krahasuar me simotrat italiane.
JUVJA, MË E PAGUARA – Mekanizmi i shpërndarjes së parave nga ana e UEFA-s vlerëson sigurisht meritat, por jo gjithmonë e jo vetëm ato të menjëhershme e teksa në Europë mendojnë për çerekfinalet, në Itali është kohë llogarish. Përfitimet kanë qenë të larta, por qeveria e futbollit kontinental mban parasysh nëntë faktorë për të shpërndarë përfitimet nga kompeticionet e saj.
Renditja në kampionatin e fundit, renditja historike, rezultatet e ndeshjeve, kualifikimet në 1/8-at apo çerekfinale dhe “market pool” (të ardhura tregtare) janë faktorë që sjellin përfitime të cilat UEFA i shpërndan në bazë të rrugëtimit të secilit klub. Kjo është arsyeja që përse Atalanta që shkoi më larg në Champions, arkëton më pak se Juventusi, e teksa bergamaskët kënaqen me 56 milionë euro, zikaltërit e tjerë të Italisë (Inter) përfituan 46 milionë euro. Kjo shifër i përket vetëm Champions-it, pasi në Ligën e Europës, Lukaku me shokë i kanë sjellë klubit 7 milionë euro të tjera përfitime. Nëse ekipi i Kontes arrin finalen, atëherë çeku nga UEFA do t’i kalojë 60 milionë eurot.