Në periudhën janar–korrik të këtij viti të ardhurat nga pushteti vendor llogariten rreth 13 miliardë lekë. Të ardhurat nga pushteti vendor përbëhen nga tre zëra kryesorë, të ardhurat nga taksa e pasurisë, taksa mbi biznesin e vogël dhe taksat lokale. Nga taksat lokale të ardhurat për periudhën janar-korrik llogariten 9.7 miliardë lekë.
Sipas raportit mbi treguesit fiskal të publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, të ardhurat nga taksa mbi pasurinë llogariten 3 miliardë lekë, nga 5.3 miliardë lekë që planifikohet të mblidhen përgjatë vitit. Nga taksa mbi biznesin e vogël u mblodhën 344 milionë lekë në buxhet.
Qeveria parashikon që të ardhurat në buxhet do të jenë rreth 5% e PBB-së më të ulëta se sa planifikonte në fillim të vitit për shkak të COVID-19. Për këtë ajo po harton një plan rimëkëmbjeje, ku në fokus do të jenë investimet në energji e infrastrukturë, ndërsa do të ketë edhe politika fiskale stimuluese për biznesin e vogël dhe të mesëm.