Kjo humbje e së premtes ndaj Bayern Munich ka qenë një goditje shumë e fortë për katalanasit, që pas 12 sezoneve është përsëri bosh në Champions. Edhe pse nuk mohoi askush që Bayerni ishte favorit në këtë çerekfinale, një turpërim i tillë nuk mendohej. Shpresohej sërish te ndonjë mrekulli e Messit, por dhe ai u përlye me disfatën më të madhe në histori. Sytë tashmë janë nga Quique Setién, i cili i ka orët e numëruara.

Bordi kishte testuar tregun prej ca kohësh për trajnerin e ri, veçanërisht pas humbjes së La Liga-s. Kandidati kryesor është Mauricio Pochettino, me të cilin ishte folur edhe para nënshkrimit me Setién, në janar. Dhe mos harroni Ronald Koeman, i cili, gjithashtu, ishte ofertuar në atë kohë. Në këtë moment, ata janë dy kandidatët kryesorë, me një avantazh për argjentinasin.

Shtatë muaj pasi Valverde u zëvendësua në stolin e Barçës, është dëshmi e qartë se ajo lëvizje qe e gabuar. është e vërtetë që projekti i Valverde kishte filluar të tregonte shenja të rraskapitjes. Koncesionet e trajnerit e bënë grupin të rehatshëm, me zakone të këqija trainimi dhe performanca të dobëta në fushë. Humbja në Superkupën Spanjolle e përshpejtoi stafetën. Setien arriti në Barcelona me posterin e “Cruyffista”, duke premtuar një rikthim në të kaluarën. Sidoqoftë, realiteti po e gllabëronte gradualisht trajnerin e ri. Rezultatet nuk folën për të që nga fillimi, kur u eliminua në Kupën e Mbretit nga Athletic.

Por më e keqja ishte brenda. Setién kurrë nuk ka arritur të lidhet me një ekip që nuk e kuptoi qasjen apo sjelljen e tij. Distanca me senatorët ishte e dukshme dhe deklaratat e Messit, pas ndeshjes kundër Osasuna, ishin prova. Setien humbi edhe La Liga-n. Bartomeu duhej të ndërhynte në mënyrë që të zhvillohej një bisedë me Messin për të rregulluar marrëdhëniet.

Më shumë sesa marrëveshje, ajo që u nënshkrua ishte një armëpushim për Ligën e Kampionëve. Por, siç tha Messi disa muaj më parë, me ato që kishte dhënë në fushë këtë sezon, Barcelona nuk e fitonte dot Ligën e Kampionëve. Dhe Bayerni iu dha vërtetësi këtyre fjalëve të argjentinasit. Sidoqoftë, askush nuk e priste që Lisbona të kthehej në një natë të turpshme për tifozët katalanas.