Zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi ka lëshuar ditën e djeshme në kritika të forta në adresë të presidenti Ilir Meta. Ky i fundit dy ditë më parë i ka akorduar ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” që është vlerësimi më i lartë nga Presidenca. Në ceremoninë e organizuar në Presidencë nga Meta kanë marrë pjesë edhe personalitete të shquara politike si kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha, ish-Presidenti Bujar Nishani, etj. Por në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe zoti Koçi, i cili përmes një statusi në rrjetet sociale, theksoi se Meta përdori Meidanin për të mbledhur opozitën. “Meta, nderin që i takon Meidanit e komprometoi duke mbledhur kryesisht individë anti-Rama. Basha ç’punë kish aty psh”, shkruan ai. Ndërkohë edhe dy ditë më parë zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi ka hedhur akuza në adresë të presidentit Ilir Meta, pas sulmeve të këtij të fundit ndaj qeverisë, që sipas tij, është përgjegjëse për bllokimin e qytetarëve shqiptarë në pikat doganore me Greqinë. Përmes një statusi në rrjetet sociale, zoti Koçi u shpreh dje se kreu i shtetit është një mjeran dhe sipas tij, u mërzit shumë që çështja e emigrantëve u zgjidh.
“Meta, i sikletosur që s’ka trafik në Kakavijë. Ditët me trafik i sollën lumturi politike”, shkruan zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi. Nga ana tjetër, ditën e djeshme zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi ka përshëndetur përmes një statusi në rrjetet sociale largimin e atasheut ushtarak turk kolonel, Sakir Cumhur Somer, të cilit i akordoi në emër të qeverisë shqiptare një medalje mirënjohje. “Atasheu ushtarak turk kolonel Sakir Cumhur Somer largohet nga Shqipëria. Një certifikatë mirënjohjeje në emër të ministrit të Mbrojtjes. Turqia partner strategjik i Shqipërisë. S’ka munguar në asnjë rast fatkeqësie të na gjendet pranë”, shkruan ndër të tjera ditën e djeshme në statusin e tij në rrjetet sociale, zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi.