Nuk mjaftoi zënka në stërvitje dy ditë para finales, por edhe dje te Tirana ka plasur grushti. Pak minuta pasi kishte përfunduar takimi ndaj Teutës, te bardheblutë ka pasur një sherr që ka degjeneruar në goditje me grushte mes lojtarëve. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se protagonistë kanë qenë Majkëll Ngo dhe Idriz Batha.
Burime të sigurta pranë skuadrës bardheblu kanë bërë të ditur se lojtarët janë përleshur aq keq, saqë ka qenë shumë e vështirë për t’i ndarë. Personat që ndodheshin afër dhomës së zhveshjes së Tiranës, i treguan gazetës se menjëherë sapo është sinjalizuar për sherrin, ka shkuar në dhomat e zhveshjes presidenti i Tiranës, Refik Halili.
Një situatë e rëndë, për më tepër që ekipi vjen pas festës së titullit kampion. Mësohet se Halili i ka kritikuar ashpër futbollistët. Ndërkohë, në hollin e stadiumit pas ndeshjes është parë e përlotur edhe drejtorja e klubit, njëkohësisht e bija e presidentit, Goldi Halili.