Mëkat që tifozët nuk janë të pranishëm në shkallët e impiantit luksoz “Air Albania Stadium”, pasi do të ishin dëshmitarë të një performance mjaft të mirë nga bardheblutë e Tiranës.

Kryeqytetasit u shfaqën tepër të vendosur që në fillim të sfidës dhe kishin shanse të pastra shënimi, fillimisht me talentin Muçi, i cili me një goditje nga jashtë zone u përpoq të zinte në befasi portierin Bojran, por ky i fundit u tregua vigjilent dhe me një zgjatje arriti të dërgonte në goditje këndi gjuajtjen.

Me kalimin e minutave, Tirana tentoi të shënonte dhe dy herë të tjera, me Calen, por edhe me Hoxhallarin, i cili me goditjen e dënimit të gjuajtur nga ai vendosi në vështirësi portën kundërshtare.

Kaq për këtë pjesë të parë, për t’ia lënë vendin të dytës, e cila nëse do të jetë po me këto ritme, bardheblutë nuk do ta kenë të vështirë për të shkuar më tej…