Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se në këtë vit të vështirë për vendin, të rinjtë treguan solidaritet. Sipas Veliajt, “në vitin 2022 Tirana do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë”.
“Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Rinisë! Ka qenë një vit shumë i vështirë për Tiranën e Shqipërinë, me 2 tërmete e pandeminë, por Tirana është mbështetur gjithmonë te super gocat e çunat e saj, të parët që u solidarizuan me familjet e prekura nga tërmeti, e po ashtu duke ndihmuar me ushqime mijëra gjyshe e gjyshër gjatë pandemisë. Faleminderit”, tha Veliaj.
Më tej, ai theksoi se ‘në vitin 2022 Tirana do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë. “Po përgatisim mbi 1 mijë aktivitete dhe presim të na vizitojnë mbi 1 milionë vajza dhe djem nga e gjithë Europa. Jam shumë i lumtur që në fytyrat e të rinjve tanë do të shohin Tiranën e bukur europiane, Tiranën e bashkëpunimit dhe të punës’”, tha ai.