Sot e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm është me sy e veshë nga stadiumi “Air Albania”. Duke nisur nga ora 20:00 luhet ndeshja e turit të dytë kualifikues e Champions League ku Tirana kampionia e Shqipërisë sfidon serbët e Crvena Zvezda. Çdo gjë është gati dhe bardheblutë janë tepër optimist për një kualifikim historik për në turin e tretë. Skuadra është stërvitur dje në “Selman Stërmasi” dhe futbollistët janë gati për ndeshjen e madhe. Trajneri Emmanuel Egbo është shfaqur plot besim në konferencën zyrtare duke thënë se shanset janë të barabarta dhe Tirana do tentojë kalimin më tej.

I vetëdijshëm se Tirana nuk është në nivelin e Zvezdës por me besimin se në 90 minuta mund të ndodhi gjithçka. Idi Batha shpreson. Egbo ka në mendje dy variante për formacionin por gjasat janë që të luajnë të njëjtët që mposhtën Dinamon e Tbilisit ndërsa edhe në testimin e kryer se fundi për COVID tek Tirana kanë dalë të gjithë negativ.

Edhe futbollistët e ekipit serb ndodhen në kryeqytet dhe janë stërvitur në “Air Albania” Trajneri Dejan Stankovic ka vlerësuar rivalët por thotë se ekipi i tij është në Tiranë për t’u kualifikuar dhe se nuk ka pasur asnjë problem jashtë fushe madje ka takuar tifoz të Interit. Sonte e gjithë Shqipëria është me Tiranën, ndaj Crvena Zvezdës bardheblutë mund të bëjnë historinë në Champions.