Trajneri i Bayer Leverkusen, Peter Bosz, bëri shaka se Kai Havertz, i cili po kërkohet nga Chelsea, do t’i bashkohet klubit holandez Heracles Almelo, pasi klubi gjerman humbi në çerekfinalet e Ligës së Evropës.

Rrugëtimi i Bayer Leverkusenit në Ligën e Evropës mori fund të hënën, pasi klubi gjerman u mposht me rezultat 2:1 nga klubi i Serisë A, Interi, në Dusseldorf të Gjermanisë, transmeton Gazeta Express.

Nicolo Barella dhe Romelu Lukaku ia kishin dhënë Interin epërsinë në këtë ndeshje me nga një gol qysh brenda 21 minutave të parë, para se Havertz ta përgjysmonte epërsinë e zikaltërve tre minuta më vonë.

Havertz pritej të largohej nga Leverkuseni dhe të transferohej te gjiganti i Premierligës, Chelsea, sapo të përfundonte sezoni 2019/20. Trajneri Bosz është pyetur vazhdimisht për të ardhmen e lojtarit të tij dhe të hënën ai e pati një përgjigje më të veçantë.

“Po, unë mund ta bëj të ditur ekskluzivisht se ai do të luajë për Heracles Almelo”, tha Bosz, i cili kishte qenë trajner i Heracles dy herë gjatë karrierës së tij si trajner.

Leverkuseni nuk po pranon ta shesë Havertz për më pak se 90 milionë funte, ndërsa Chelsea raportohet se dëshiron të paguajë fillimisht 70 milionë funte për Havertz e pastaj pjesën tjetër në formë të shtesave.