Zv. ministrja e Shëndetësisë dhe njëherësh kryetare e Komitetit Teknik, Mira Rakacolli, ka folur në lidhje me një metodë të re që po aplikohet në vendin tonë te të prekurit me Covid, dhe bëhet fjalë për plazmën e dhuruar nga pacientë që e kanë fituar betejën me sëmundjen. Kjo është një procedurë që po ndiqet në të gjithë botën, ndërsa ende nuk dihet se sa efektive është.
Zv. ministrja u shpreh në News 24 se kjo metodë e dhurimit të plazmës është e vjetër, ndërsa shtoi se është përdorur dhe në rastin e gripit spanjoll. Rakacolli tha se dje në vendin tonë, si dita e parë e lançimit të kësaj nisme, janë paraqitur 5 dhurues vullnetar të plazmës, duke shtuar se procedura e injektimit nuk mund të bëhet tek të gjithë pacientët me COVID-19, por vetem tek ata qe plotesojne parametrat.
Sa efektiv është trajtimi me plazmë?
Nuk ka akoma asnjë gjë të konfirmuar për efektivitetin e saj. Është alternativë që mendohet me një logjikë të thjeshtë, që mund të japë rezultat. Historia e dhurimit të plazmës, është histori e vjetër, daton edhe 100 vite më parë. Është përdorur dhe me gripin spanjoll. Në momentin kur nuk ka një mjekim specifik apo vaksinë, mendohet që ata antitrupa tek personat që janë shëruar, të mund t’i jepen një personi tjetër që të fitojë betejën. Që të thuash është efikase, duhen shumë studime. Për të arritur në një konkluzion, duhen numra, studime. Por akoma nuk kemi rezultate të qëndrueshme për efikasitetin e saj.
Është aplikuar trajtimi me plazëm?
Dje kemi lançuar fillimin e kësaj metode. Plazma nuk është gjë që blihet apo prodhohet. Ajo dhurohet. Duhet ta kesh gjënë dhe më pas të kesh zinxhirin se si të aplikohet ajo. Duhet të sigurohet cilësia dhe më pas vijnë procedurat e tjera. Ne kemi qenë në lidhje me një grup italian, të një universiteti, për të koordinuar këtë protokoll. Është proces i nisur, i mirëmenduar. Jemi në fazën e mbledhjes së dhuruesve. Jo çdo person që ka kaluar COVID-19 mund të përmbajë antitrupa. Dje ka qenë dita e parë e dhurimeve. Janë bërë 5 dhurime. Shpresojmë shumë që numri i personave dhurues të rritet. Pajisjet janë të gjitha. Në drejtim të gjitha gjerave, në infrastrukturë, jemi gati. Nëse kemi një plazmë të përshtatshme, do e injektojmë tek personat. Dua të bëj thirrje të gjithë atyre që kanë kaluar COVID, që të bëhen heronj të dikujt. S’ka gjë më të mirë se kjo. Mund të dhurohet në të gjitha pikat ku ka banka të dhurimit të gjakut. Problemi është tek krijimi i bankës së plazmës. Është e gjitha në dorë të qytetarëve që kanë kaluar COVID. Plazma iu ofrohet atyre pacientëve që ofrojnë këto parametra. Pra jo të gjithë do te marrin plazmën. Do ju bëhet atyre që mendohet se iu bën mirë. Nuk ka mjekim specifik për këtë sëmundje. Mjekojmë simptomat dhe pasojat.
Numrat vijojnë të rritet, po ashtu dhe numri i testimeve. A ka një numër limit që do të vendoste që në vjeshtë do të kalonim në një mbyllje tjetër?
Situata ndiqet në dinamikë. Është situatë që nuk po shkon ndryshe nga e gjithë bota. Virusi është një virus i ri. Nuk e dimë se si do të sillet ky virus në vjeshtë e dimër. Duhet të kemi parasysh një gjë, që me marrjen e masave, ato duhet të zbatohen. Nëse masat do të zbatoheshin siç duhej, s’do ishte ky numër i të prekurve. S’ka asgjë diskutim, pasi situata deri tani është e kontrolluar dhe në përputhje me skenarët e përgatitur.