Bashkia e Matit po merr një fytyrë të re falë investimeve të bëra në këtë një vit duke investuar në sektorë strategjikë për zonën. Kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj, teksa bën dhe bilancin e një viti në krye të këtij institucioni përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se ka ende shumë punë për të bërë që banorët e Matit të kenë lehtësirat dhe aksesin e duhur në infrastrukturë, arsim, kulturë etj.

Një nga projektet më të rëndësishme është investimi për ndërtimin e Ujësjellësit i cili i jep zgjidhje problematikës së ujit të pijshëm për 25000 banorë në total, pra 17 fshatra dhe qytetin e Burrelit. Në një vit bashkia siguroi kontenierë për familjet e mbetura pa strehë dhe mijëra pako ushqimore për familjet në nevojë. Grumbulluam ndihma për zonat e prekura nga tërmeti. Në këto kohë të vështira përballimi i situatës së krijuar nga COVID-19 është kthyer në prioritet dhe për këtë bashki, e cila po punon përmes sensibilizimit të qytetarëve për t’u mbrojtur dhe dezinfektimit të institucioneve dhe mjediset publike për shkak të Covid 19 .

Investimet në infrastrukturë kanë qenë fokusi kryesor i bashkisë së Matit në këtë një vit duke u përpjekur të përmirësojmë rrugët, trotuaret, sheshet dhe urat e Matit dhe fshatrave dhe me një kujdes të veçantë pastrimit të mjedisit dhe rehabilitimit të pikës së grumbullimit të mbetjeve. Bashkia ndërhyri në rrugët rurale të fshatrave, duke zgjidhur konfliktet e mbartura dhe u hapën trashe te reja, urat e zonave rurale nuk rrezkojnë më jetën e banorëve, u asfaltuan rrugët e dëmtuara në qytet dhe u investua në trotuare dhe mjediset publike.

Gjithashtu nisi rehabilitimi i sheshit “Ahmet Zogu” dhe Parkut “Nëna Mbretëreshë, Geraldinë”. Vendosëm në funksion tregun e ri të fruta-perimeve si dhe nisi puna për kultivimin e rasatit të peshkut në Liqenin e Ulzës. Stadiumi “Liri Ballabani” merr një tjetër pamje ndërkohë që fokus kryesor ka qenë dhe rehabilitimi i kopështeve dhe çerdheve, sigurimi i lëndës drusore për institucionit e arsimit parauniversitar. Arti dhe kultura gjithashtu kanë qenë në fokus të bashkisë. Qendrës Kulturore të Fëmijëve i kthehet dinjiteti, investohet në bibliotekën e qytetit, u planifikuan aktivitete të bukura për 75 vjetorin e Çlirimit.