U bënë javë që Zelanda e Re ka qenë “fëmija i posterit”, në luftën globale kundër koronavirusit.
Por si për të treguar, se në një pandemi nuk ka fitimtarë të veçuar, dhe se kjo është një luftë të cilën komuniteti global, ose e fiton i bashkuar, ose nuk e fiton dot, edhe Zelanda e Re ka vendosur një izolim tre ditor për Aucklandin, aty ku sipas autoriteteve lokale, janë shfaqur shenja të transmetimit komunitar të Covid-19.
Kufizimet në jetën e përditshme në Zelandën e Re u lehtësuan në muajin qershor, kur u regjistrua rasti i fundit i mbetur me Covid-19. Nga nesër, jashtë qytetit të Auckland ku u regjistruan rastet e reja, neozelandezët nuk do të lejohen të grumbullohen dhe duhet të punojnë nga shtëpia, nëse e kanë të mundur.
“E di që do të jetë shumë e vështirë të pranohet ky informacion”, deklaroi kryeministrja Jacinda Ardern, gjatë një konference për shtyp natën vonë. “Si ekip, e kemi përjetuar një herë këtë gjë”, u tha ajo neozelandezëve. “Ne e dimë që, nëse kemi një plan dhe i përmbahemi, mund të dalim nga situata të vështira dhe të panjohura”.
Familja ku u regjistruan rastet e reja nuk kishte udhëtuar jashtë vendit dhe burimi i infeksionit mbetet i panjohur. / bota.al