Mesfushori i Manchester Unitedit, Bruno Fernandes, beson se triumfi në Ligën e Evropës këtë sezon do t’u ndihmonte Djajve të Kuq të garojnë për të qenë pretendentë për titullin e Premierligës sezonin e ardhshëm. Skuadra e Ole Gunnar Solskjaer do të përballet me Sevillën në gjysmëfinale të Ligës së Evropës të dielën, në ndeshjen që do të zhvillohet prapa dyerve të mbyllura në një stadium neutral në Gjermani, me synimin për ta zënë një vend në finalen e madhe të 21 gushtit.

Kjo do të jetë gjysmëfinalja e tretë në të cilën do të garojnë anglezët – pasi e arritën këtë fazë edhe në FA Cup dhe League Cup këtë sezon. Por, Fernandes beson se nëse Manchester Unitedi shkon një hap më tutje dhe e merr trofeun këtë herë, kjo do t’i ndihmojë klubit edhe për sezonin e ardhshëm.

“Mendoj se ne kemi nevojë të ecim përpara dhe kemi nevojë ta nisim ligën me mentalitetin që duam trofe. Ne e dimë se luajmë për një klub të madh me synime të mëdha dhe edhe ne lojtarët kemi synime të mëdha dhe keni nevojë për trofe”, ka thënë Bruno.

“Natyrisht, Premierliga është njëra ndër trofetë që duam ta fitojmë dhe mendoj se triumfi në Ligën e Evropës do të ndikonte për mirë te mentaliteti ynë dhe te lufta për titull kundër klubeve të mëdha. Nëse e fitojmë këtë, atëherë kjo do të jetë e rëndësishme edhe për sezonin e ardhshëm”.