Ish-deputeti socialist, Fatmir Toci, është rikthyer në shtëpi, pas një lufte 55 ditore me Covid-19. Ish-deputeti, pasi u infektua me koronavirus, u izolua për 11 ditë por më pas pati nevojë për ndihmë mjekësore. Ai qendroi 44 ditë i shtruar në Spitalin Shefqet Ndroqi në Tiranë.Teksa falënderon mjekët e gjithë stafin e spitalit Covid2, ka dhe një mesazh e thirrje për miqtë e tij: Jeta është e bukur dhe e vlefshme kur është e shëndetshme, ndaj të bëjmë çmos për mbrojtjen e saj! Postimi i plote i Toçit: PRANË FAMILJES, MË NË FUND Pas një lufte 55 ditore në kufijtë e të pamundurës me sëmundjen e rëndë të Covid-19 (11 ditë i vetëkarantinuar dhe 44 ditë i shtruar në Spitalin Shefqet Ndroqi në Tiranë, sot besoj se kam dalë fitimtar dhe jam kthyer pranë familjes time të shtrenjtë, dashuria dhe përkujdesjet e së cilës ishin, padyshim, pjesë e rëndësishme e terapisë në luftën për mbijetësë. Falenderime pa fund dhe mirënjohje e thellë, aq sa fjalët janë të varfëra ti shprehin deri në fund, për personelin e Spitalit “Shefqet Ndroqi”, mjekët, infermierët, specialistët, sanitaret etj., në mënyrë të veçantë prof. dr. Perlat Kapisyzi, drejtuesi i këtij institucioni të destinuar për të shpëtuar jetë njerëzish nga kthetrat e vd ekjes. Jam aq shumë i detyruar ndaj kujdesit dhe përkushtimit te tyre, sa që sot mund ta them pa hezitim e me bindje se nëse nëna ime e mirë më bëri kokën para 62-vjetëve, ata më rikthyen në jetë pas një lufte që dukej e humbur. Me qindra të afërm, miq, shokë, të njohur e të panjohur që kanë qenë afër meje gjatë kësaj periudhe me interesimin dhe urimet e tyre për shërim të shpejtë, i falënderoj nga zemra, ma kanë lehtësuar gjendjen time shpirtërore psikologjike dhe më kanë dhënë kurajë e besim se do të dilja. Miqtë e mi kudo që jeni, jeta është e bukur dhe e vlefshme kur është e shëndetshme, ndaj të bëjmë çmos për mbrojtjen e saj!