Ura e Vashës, pjesë e Rrugës së Arbrit, e cila është edhe ura më e lartë në rajon, është ndërtuar me standardet më të mira të sigurisë.
Kyetari i Partisë Socialiste në Burrel, Hasan Pasha publikoi një foto ku shihen kamionë të tonazhit të rëndë duke lëvizur në Urën e Vashës.
“Për skeptikët: Mbi Urën e Vashës, (pjesë e Rrugës së Arbërit), lëvizën 10 kamionë të tonazhit lartë, njëri pas tjetrit, duke testuar kështu cilësinë e urës më të veçantë në vend”, deklaron ai.
Rruga e Arbrit do të ketë gjithsej 6 ura, por ajo më e madhja e më e rëndësishmja është Ura e Vashës e cila kalon mbi lumin Mat dhe cilësohet si më e larta në rajon, 152 m. Ajo lidh dy tunelet T5 dhe T6 në dy shpatet e malit.
Ura përbëhet nga konstruksion metalik në një hark rihter. Ka 27 kolona paralel në të dyja anët e urës, të cilat ngrihen drejt lart. Ura ka një gjatësi hapësirë drite 160 metra, pjesa e kalueshme mbi konstruksion metalik është 220 metra, ndërkohë që vetë ura është 242 metra.
Ura e Vashës bashkon arterien e rrugës së Arbrit që lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore siç është kromi nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.
Gjithashtu ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare. Rruga e Arbrit do të shkurtojë me rreth 70 kilometra rrugën e sotme nga Burreli.