Instituti gjerman i Epidemiologjisë pret që deri në fillim të vitit 2021 do të jenë në dispozicion një a më shumë vaksina kundër Covid-19. Sidoqoftë këto fillimisht nuk do të jenë të mjaftueshme për të gjithë popullsinë. Sipas njohurive të tanishme pritet që nga fillimi i vitit të ardhshëm në Bashkimin Evropian do të aprovohen një ose më shumë vaksina kundër COVID-19 dhe që pakot e para të vaksinës të shpërndahen dhe shiten, shkruan Instituti Robert Koch në numrin e fundit të Buletinit Epidemiologjik. Sidoqoftë pritet që edhe në Gjermani të mos ketë që në fillim në dispozicion vaksina të mjaftueshme për të gjithë popullsinë. Komisioni i Përhershëm i Vaksinimit (Stiko) i emëruar nga Ministria Federale Gjermane e Shëndetësisë do të nxjerrë rekomandime si mund të përdoren rezervat e disponueshme me përfitimin më të mirë të mundshëm për popullsinë në Gjermani, thuhet në njoftimet e RKI.
Bëhet fjalë për vendosjen e përparësive qëllimi kryesor i të cilave është të shmangin sa më mirë sëmundjet serioze dhe vdekjet. Për paracaktimin e përparësive dhe për shpërndarjen e drejtë të vaksinave kanë një rëndësi të veçantë aspektet etike. Disa ditë më parë Instituti federal gjerman për Vaksinat dhe Barnat Biomjekësore “Paul Ehrlich” shprehu shpresën se vaksinat e para do të aprovoheshin në fillim të vitit. Në deklaratën e tij të fundit RKI paralajmëron për kujdes: sikurse në vendet e tjera edhe në Gjermani ka një rritje të re të infeksioneve me patogjenin SARS-CoV-2.(dw)