Bashkia e Tiranës thekson se po shfrytëzon muajt e verës për të ecur sa më shpejt me punimet në bllokun e banimit që kufizohet nga bulevardi “Bajram Curri” dhe “Petro N. Luarasi”, si edhe rrugët “Taulantia” dhe “Ali Demi”. Kjo lagje ndodhet në Njësinë 2 dhe prek një sipërfaqe banimi rreth 13 hektarë, ku mbizotërojnë banesat rezidenciale dhe pallatet.

“Po prekim masivisht një territor që ishte lënë pas dore për një kohë shumë të gjatë. Besoj se ka ardhur koha t’i themi mirë se vjen investimit të jashtëzakonshëm”, tha Veliaj. Ai bëri të ditur se pjesë e investimit është edhe ndërtimi i një pedonaleje. “Kush nuk beson te krijimi i zonave pedonale, mjafton të shohë sheshin “Skënderbej”, Bulevardin dhe sheshin “Migjeni” në Kashar, Pazarin e Ri dhe zonat e qytetit që janë kthyer në pedonale: Sot janë si dita me natën”, u shpreh kryebashkiaku. Në inspektimin e punimeve për rikualifikimin urban të zonës në zonën e ish Tregut Elektrik, Veliaj tha se banorët e kanë kuptuar që lirimi i hapësirave bëhet për të zgjeruar trotuaret ku do të ecin nënat me karrocë, krijimin e mjediseve çlodhëse për të moshuarit dhe këndet e lodrave për fëmijët.

“Aty ku ka pasur bashkëpunim, pra kur dikush që ka ndërtuar një mur, një shtesë, një shkallë apo një rampë pa leje, e ka tërhequr për t’i hapur udhë investimit, puna ka ecur më shpejt. E ka kuptuar se trotuari bëhet që aty të ecë nëna e tij, babai i tij, motra e tij, fëmijët e tij”, tha kryetari i bashkisë. Ai falenderoi banorët bashkëpunues dhe ftoi atë pakicë të vogël të vazhdojë të jetë bashkëpunuese sepse investimi bëhet për të mirën e tyre. “Ka 30 vite që kërkohet të bëhet ky investim, por ama kur vjen ndryshimi, duhet që të gjithë të ndryshojmë nga pak; pra nuk mund të ndryshojë vetëm fqinji, nëse nuk ndryshon edhe ti vetë”, theksoi Veliaj.

Sipas tij, ndryshimi që po pëson zona me këtë investim do të sjellë më shumë kërkesa për hapësira biznesi dhe do të rrisë vlerën e pronave. “Këtu kishte dyqane që prej vitesh thoshin ‘shitet’, kurse sot jo vetëm janë shitur, por u vlon aktiviteti. E njëjta gjë vlen edhe për apartamentet: Nëse poshtë tyre kishte vetëm grumbullime me dhera dhe inertet, sot po pastrohen dhe do të kemi një hapësirë pedonale. Ndërkohë, hapësirat e tjera të qarkullimit do të kenë një funksion unaze”, theksoi ai.

Duke prekur çështjen e shkollave, Veliaj tha se është lajm i shkëlqyer që 11 shkolla të reja janë në proces ndërtimi. “Këtë vit do të hapim dy shkolla të reja: shkollën “1 Qershori”, e cila ndodhet mes Njësisë 5 dhe 6, me territor të dyfishuar, dhe shkollën “Jeronim De Rada” në Njësinë 9, gjithashtu e dyfishuar, me palestër të re”, sqaroi ai. Sipas tij, hapjes së shkollave të reja, do të merren të gjitha masat e parashikuara për fillimin e vitit të ri shkollor. “Tirana do të jetë gati kurdo që qeveria të lajmërojë hapjen e shkollave. Siç bëmë me kopshtet dhe çerdhet, me të njëjtin protokoll do të hapim edhe shkollat”, shtoi Veliaj.

Ndërkaq, kryebashkiaku u kërkoi banorëve që nuk e kanë marrë ende grantin e rindërtimit, të interesohen pranë njësive përkatëse. “Të gjithë ata qytetarë që kanë pasur probleme me tërmetin, duhet të interesohen pranë njësisë nëse nuk e kanë firmosur ende kontratën, që të marrin pagesën. Shumë shpejt do të nisim edhe punën për lagjet e reja te “5 Maji”, në Kombinat dhe në Shkozë”, sqaroi ai. Bashkia thotë se projekti për rehabilitimin e bllokut urban te zona e ish Tregut Elektrik në Njësinë 2 parashikon ndërhyrje në rrjetin rrugor, të kanalizimeve, gjelbërimit dhe ndriçimit. Gjithashtu, pjesë e projektit është trajtimi i hapësirave publike, si dhe ndërtimi i parkingjeve në brendësi të bllokut. Në këtë lagje do të ketë një zonë pedonale në hapësirën që më parë ishte i pozicionuar tregu i përkohshëm elektrik.