Zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) kanë vijuar konsultimet me aktorë të ndryshëm mbi masat e ndërmarra deri më tani me qëllim krijimin e kushteve të sigurta në ambientet e shkollës dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor gjatë vitit të ardhshëm shkollor.
Në këtë kuadër, në rrjetin e saj social facebook, Ministrja Besa Shahini bën me dije se ditën e sotme janë zhvilluar konsultime mes Zëvendësministres Nina Guga, drejtorëve të MASR – Zamira Gjini, Selman Hodaj dhe Gerti Janaqi – me përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, Këshillit Kombëtar të Prindërve, sindikatave e arsimit dhe organizatave të ndryshme.
Masat e ndërmarra deri më tani nga MASR, mënyra e zhvillimit të mësimit, detajimi final i udhëzuesit për vitin e ri shkollor, ishin disa prej temave të trajtuara në këtë konsultim mes përfaqësuesve të MASR dhe palëve të tjera. Ndërkohë, Ministrja Shahini nënvizon se në fokus të punës së MASR, “qëllim kryesor për vitin e ri shkollor, është ruajtja e shëndetit të nxënësve, prindërve e mësuesve, gjatë zhvillimit të procesit mësimor në shkollë”.