Ndonëse kanë kaluar 4 vjet nga reforma në drejtësi, sulmet dhe akuzat në drejtim të saj sa vijnë e shtohen. Organet e reja të drejtësisë si Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit prej një kohe të gjatë po sulmohen dhe anatemohen nga opozita jashtëparlamentare. Por edhe organet e vetingut janë nën sulme të vazhdueshme, duke i akuzuar se po ndikohen politikisht në vendimet e tyre. Mirëpo në lidhje me këto sulme, gazeta kontaktoi me juristin Saimir Vishaj, i cili u shpreh se qysh në fillim reforma në drejtësi i ka dhënë efektet e veta pozitive.
Në reagimin e tij, Vishaj deklaroi se sinjalet pozitive duken në vendimet e KPK dhe KPA, të cilat sipas tij kanë nxjerrë nga sistemi shumë gjyqtarë dhe prokurorë të papërshtatshëm për të vijuar detyrën e tyre. Ndërsa duke iu referuar dosjeve të bujshme për opinionin publik, juristi deklaroi se tashmë që u ngrit edhe BKH, SPAK do të hapë të gjitha dosjet që janë me ndjeshmëri tek qytetarët, por jo vetëm. “Reforma në drejtësi i ka dhënë efektet e veta, derisa ka larguar nga sistemi i drejtësisë një sërë gjyqtarësh dhe prokurorësh të cilët nuk ishin të denjë të vijonin të qëndronin në detyrë. Tani që u ngrit edhe BKH, SPAK do vijojë me hetimet e dosjeve të bujshme”, u shpreh juristi Saimir Vishaj në reagimin e tij për gazetën “SOT”.
Reagon Genc Gjokutaj
Por qëndrim ndryshe nga Saimir Vishaj kishte juristi Genc Gjokutaj. Në një reagim për gazetën, Gjokutaj deklaroi se reforma në drejtësi është inekzistente dhe e ndikuar nga politika. Juristi deklaroi se dështimin e reformës e dëshmojnë organet e vetingut, që sipas tij kanë larguar nga sistemi njerëz që ishin të përshtatshëm për sistemin e drejtësisë, duke shtuar se KPK dhe KPA kanë ndikim të theksuar nga politika. “Produkti i një reforme duket në vendimmarrjen e gjykatave dhe prokurorive. Ne po shikojmë procese të çuditshme të cilat nuk kanë aspekt ligjor, ne po shikojmë një prokurori që po sulmojnë mediat dhe nuk po luftojnë krimin e mirëfilltë. Duke qenë se kemi një bilanc negativ në vendimmarrjeve unë them se ky është defekt i reformës dhe reforma është inekzistente. Reforma është e deformuar nga politika, sepse kanë ikur njerëz që nuk duhet të iknin nga sistemi dhe kanë mbetur njerëz që nuk duhet të ishin aty. Kjo tregon që ka interferenca të forta politike edhe në procesin e vetingut”, tha Gjokutaj. Ndërsa duke iu referuar hetimit të dosjeve, juristi deklaroi se mungesa e vullnetit ka bërë që shumë çështje të ngelen pa hetuar. “Hetimi i dosjeve është vullnet. Për dosjet e bujshme ka pasur prokurori, hetues, prokurorë, OPGJ dhe nuk janë prekur me dorë. Por po nuk ekzistoi vullneti, jo BKH të ngrihet po të bëhet një mal i madh nuk ndodh. Hetimi është vullnet nëse duhet apo jo të hetohet”, tha ai.
Hetimi i komisionerëve
Gjokutaj komentoi në reagimin e tij për gazetën edhe hetimin e komisionerëve nga ana e SPAK, ku 2 prej të cilëve kishin ndërruar jetë. Sipas tij, kjo lëvizje tregoi dështimin e SPAK në hetimin e çështjeve që ka, duke shtuar se kjo ishte një taktikë për të larguar vëmendjen nga ndryshimet kushtetuese që u miratuan pak kohë më parë nga Kuvendi. “Hetimi i komisionerëve që kanë ndërruar jetë ishte një skandal më vete, sepse është e patolerueshme që një prokurori sidomos SPAK të mos ketë dijeni që një person nën hetim është gjallë apo vdekur, sepse paraprakisht ky njeri duhet të thirret një herë si deklarues pastaj mund të merret në përgjegjësi penale. SPAK e ka shumë të thjeshtë ta vërtetojë. Ata njerëz janë goditur pa u verifikuar fare një ditë para se të ndryshohej Kushtetuta për të zhvendosur vëmendjen dhe për të treguar që neve jemi për një sistem elektoral të drejtë. Nuk ka asnjë lloj nuance ligjore”, tha Genc Gjokutaj.