Kallënga e Poros, 25 km në veriperëndim të qytetit të Vlorës, është kthyer në destinacionin e flamingove, zogjtë lozonjarë që tërheqin vizitorët me piruetat e tyre.Pas rehabilitimit të Kallëngës, kësaj parajse mbi tokën e bekuar të Vlorës, e cila nga një zonë e thatë (kripore) është kthyer në një lagunë të mirëfilltë me investime konkrete në këtë zonë.Prefekti qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, tha për ATSH-në se rehabilitimi i kësaj zone ka mundësuar rikthimin e shpendëve e gjithë gjallesave që kanë karakterizuar zonën para viteve ’97. Kjo është mundësuar nga kompania AlbLigatina, e cila falë investimeve të kryera e ka rikthyer faunën në origjnën e vet.Prefekti Mamaj u shpreh se kufizimi me brezin pyjor të pishave të këtij bregdeti, e bën atë të papërsëritshme për vlerat që ka dhe pasuritë që mbart. Kjo reflektohet edhe në shumëllojshmërinë e shpendëve fluturues, ku spikasin dhe gjenden mjaftueshëm rosa e egër, gjelëza, bajza etj. Terreni me një gjeografi të pasur natyrore, stimulon një shumëllojshmëri faune dhe flore që biologët dhe ambientalistët i vlerësojnë maksimalisht.

Flamingot janë kthyer në një atraksion për turizmin e vëzhgimit të tyre në habitatet natyrore ku jetojnë.Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe, që nga grupet e vogla deri në qindra mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit. Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre – një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit.Zakonisht qindra flamingo mblidhen së bashku si një grup baleti uji. Të gjithë pastrojnë puplat e tyre rozë duke qëndruar me një këmbë në diell për orë të tëra. Madje me një këmbë ata edhe flenë.Gjatësia e tyre shkon nga 81 deri në 130 cm, por pesha e tyre trupore është e vogël, ajo shkon nga 2–3,6 kg. Duke kombinuar peshën dhe ngjyrën, flamingot janë ndër zogjtë më të dallueshëm nga të tjerët.