Shkarkohet nga detyra gjyqtari i Apelit në Vlorë, Hysen Saliko, i cili nuk arriti që ti shpëtojë procesit të vetingut.
Vendimi ndaj tij u dha ditën e sotme nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Shkak për shkarkimin e gjyqtarit, i cili ka qenë edhe pjesë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, është bërë mos justifikimi i pasurisë.
Hysen Saliko e ka filluar karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1994. Deri në vitin 2006, Saliko ka ushtruar detyrën si kryetar i Gjykatës Kolonjë dhe në vitin 2006 është transferuar si inspektor në ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në vitin 2010, Saliko është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit Vlorë.
Gjatë seancës dëgjimore relatorja Suela Zhegu deklaroi se të ardhurat e pretenduara nga bujqësia nuk janë shoqëruar me dokumentacion dhe se për rrjedhojë, Saliko rezulton në pamundësi për të blerë një apartament në vitin 2010 në Tiranë, për të cilën Saliko ka deklaruar si burim të ardhurash kursimet familjare nga paga dhe nga bletaria.
Por subjekti rezulton se për të njëjtin apartament ka deklaruar pagesa të kryera cash në llogarinë e kompanisë së ndërtimit dhe njëkohësisht, 30 mijë euro të paguara në një bankë të nivelit të dytë, të cilat nuk janë deklaruar nga subjekti.
Gjyqtari Saliko dhe avokati i tij deklaruan në seancë se subjekti nuk e ka bërë pagesën 30 mijë euro, duke sugjeruar se dikush tjetër ka bërë pagesën në emër të tij dhe i ka falsifikuar firmën. Saliko paraqiti edhe një dokument të cilin e përshkroi si një ekspertizë që vërtetonte se firma e tij në dokumentin e derdhjes së shumës ishte e falsifikuar.
Vëzhguesja ndërkombëtare pyeti se për çfarë arsyeje dikush mund të derdhë në bankë pagesë në emër të një personi tjetër duke falsifikuar firmën e këtij të fundit si dhe si shpjegohet që ky person, përveçse ka bërë derdhjen në emër të tij, ka depozituar edhe të dhëna personale të subjektit. Saliko deklaroi prerazi se ai nuk është personi që ka depozituar paratë dhe se ka bërë kallëzim penal për falsifikim për këtë rast.