Nga Ben Andoni/
Nëse do të botohej ndonjëherë një studim mirëfilli për historinë zgjedhore dhe detajet e korrigjimeve të Kodeve Zgjedhore në vendin tonë, ai do të tregonte realisht sesa të pamësuar jemi ne me demokracinë e vërtetë dhe mënyrën sesi i zgjedhim përfaqësuesit tanë. Ashtu, si edhe herë të tjera, por ndoshta tashmë edhe më shumë, prej tani kemi kundërshtimin dhe paragjykimin e presidentit të vendit, vendosur në një pozitë absurde, e opozitës jashtë parlamentare për to, bindjen e verbër me kartona të maxhorancës, ashtu si edhe ekuivoket nga të gjitha palët. Ndaj, institucioni i parlamentit pothuaj nuk respektohet fare, ca më shumë deputetët që i japin jetë këtij institucioni, kthyer tashmë madje në numërorë pasivë.
Por a duhet ta shikojmë vallë kaq të zezë vetëm demokracinë shqiptare?! Jo, ky është një fenomen që tashmë ka kapluar të gjithë Evropën e Lindjes dhe të Qendrës me një trashëgimi jo shumë të largët nga vendi ynë për sistemet zgjedhore të aplikuara.
“Brishtësia e demokracive të Evropës Qendrore dhe Lindore gjithashtu mund të lidhet edhe me pakënaqësinë e njerëzve ndaj sistemeve të tyre të qeverisjes, mosbesimit ndaj institucioneve kryesore dhe perceptimit të pakënaqshëm të shpërndarjes së pasurisë”, thuhet në një raport të The Globsec Policy Institute me qendër në Bratislavë.
“Për të parandaluar liderët me prirje autokratike dhe arsyetime alternative të ngjarjeve, komuniteti i demokracive duhet të bëjë më shumë”, shtojnë analistët e huaj që e kanë komentuar këtë raport. Po çfarë mund të bëhet vallë më shumë, kur analfabetizmi funksional ka marrë përmasa të frikshme dhe publiku ndihet konfuz nga ndryshimi i beftë dhe i shpeshtë i rregullave të lojës, ku autokratët e rajonit vetëm ndryshojnë ligje për të mbetur në pushtet. Në të njëjtin raport, zgjidhja është se BE duhet të marrë një rol më të fortë në promovimin e vlerave demokratike dhe transparencës, në reformat që synojnë të zvogëlojnë pabarazinë e të ardhurave dhe në promovimin e diskutimit të hapur publik mbi problemet shqetësuese.
…
Në zgjedhjet e fundit të 25 Qershorit, ndërsa socialistët shpallën fitoren totale, grupi teknik i ministrave të PD-së, pjesë po e Ekzekutivit shqiptar (që nuk u bë asnjëherë bashkë në një mbledhje me kryeministrin e vendit), i demaskoi ato të blera dhe të manipuluara paq. Ka pak vend këtu edhe për histori, duke e lidhur diçka me besimin dhe me pranimin e të kundërtit në vendin tonë. Në kujtimet e Princ Vidit do të shënohej se Shqipëria e kohës së tij do shpëtonte vetëm nëse nga skena politike do të iknin (me eufemizëm) dy persona: Ismail Qemali dhe Esat Pashës. Ky i fundit një personazh që sot e kësaj dite ngjall debate për një imazh të papërcaktuar që i kanë dhënë historianët, por edhe kontributi i tij me shumë hije. Po për Njeriun e Pavarësisë, pakënaqësitë lindën menjëherë nga kolegët e tij. Madje qysh në 1913 kur shqiptarët komplotonin hapur në Kongresin e Triestes për t’i treguar derën. Pas Kongresit të Lushnjës, qeveritë shqiptare që ndërronin njëra-tjetrën do shquhen për një frymë të tepruar mosbesimi dhe përfolje të kujtdo, për të ardhur me kohën e Zogut si president dhe monark, ku vendi me institucionet e brishta nuk mundi të krijojë një fizionomi institucionale demokratike të vendit, atë që komunistët edhe në ato pak detaje pozitive do ta hidhnin poshtë si të paqenë. Po ndërsa zgjedhjet e paraluftës së Dytë Botërore do shquheshin për premtime dhe injorancë, në komunizëm zgjedhjet u kthyen gati në farsë. Për të ardhur në ditët tona, ku zgjedhjet parlamentare dhe lokale kanë treguar nivelin e ulët të demokracisë, por edhe llojin e njerëzve, që ne zgjedhim në demokracinë tonë indirekte. Në një farë mënyre, tashmë duket sikur votimi nuk është më një e drejtë, ajo është thjesht një mundësi për të sjellë në pushtet ata që e dimë se do të na sorrollasin aq shumë në të ardhmen. Dhe, të mjafton të kuptosh sesa prezent janë deputet që ne zgjedhim në zonat e tyre apo kontributet e tyre intelektuale të kuptosh sesa të korruptueshme dhe pa sens janë zgjedhjet tona, bashkë me listat qesharake që prodhojnë kryetarët e partive. E kush beson se do të bëhet më mirë do zhgënjehet, sepse edhe procesi i fundit që u duk se fryu mbarë në “5 Qershor” po merr formë të shëmtuar me gati braktisjen e zakonshme të opozitës jashtë-parlamentare.
Për ironi zgjedhjet më të mira kanë qenë ato të fillim-viteve ’90, kur fryma e ish-regjimit të shkuar ishte ende gjallë! E që nga viti 1996 e tutje, proceset kanë qenë të dhimbshme për mënyrën sesi e kanë devijuar përpjekjen e njerëzve dhe groteske për vjedhjen. Zgjedhjet e vitit 1996 me rrahjet e frikshme në qendër të Tiranës dhe me vjedhje që kaluan deri në gargantuanizëm do të na bënin të aksesueshëm për të gjithë mediat ndërkombëtare. Pesë vjet më vonë, Koha e Dushkut, që prodhoi deputetë nga një zonë e vogël, do të na kthente në një demokraci bananesh, për të ardhur tek një korrigjim i përkohshëm në vitin 2005, kur ish-kryeministri Fatos Nano e dorëzoi brenda kanoneve qeverinë, duke bërë atë që nuk arriti ta bënte dot asnjëherë pasardhësi i tij Sali Berisha. Ky i fundit, tetë vjet më vonë, do të merrte edhe kolltukun me vete, teksa do të linte gjoja përgjithnjë PD-në. Rezultati i këtyre zgjedhjeve tregoi një lloj maturimi të pjesshëm të dy partive kryesore, por shpejt ato erdhën në origjinë me Zgjedhjet vendore të 2007, që u kthyen në një proces të përfolur, që vetëm falë dorës së zakonshme së të huajve u futën në shina dhe raporti i OSBE/ODIHR do i cilësonte si pjesërisht brenda standardeve. Kurse maratona e përfoljeve të viti 2009 do jetë nga më të lodhshmit për komunitetin e gazetarëve sepse kriza e madhe vazhdoi pas votimeve. PS u fut në grevë urie dhe kërkoi hapjen e kutive të votimit dhe akuzat janë si dy pika uji me sot: minim i procesit të Integrimit nga Pozita te Opozita. Kriza erdhi dhe njëherë në skenë me zgjedhjet lokale të vitit 2011, kur Edi Rama pas rinumërimit humbi Bashkinë e Tiranës me 10 vota diferencë. Sesi vajtën zgjedhjet e vitit 2013, 2015 dhe 2017 është e lodhshme të përsëritet, qoftë edhe me “Çadrën” e famshme të PD-së, por që u mbyll me një shtrëngim duarsh Rama-Basha për ta kthyer kauzën në hiç dhe në një përfolje pafund pak javë më vonë. “Në një demokraci, dikush që nuk arrin të zgjidhet në detyrë mund të ngushëllojë gjithmonë veten me mendimin se kishte diçka jo shumë të drejtë për këtë”, shprehej dikur Tukididi te “Historia e Luftës Peloponezit”.
Po pse ndodh kështu dhe pse sërish zgjedhjet do jenë të përfolura?! Ne, shqiptarët kemi një pakënaqësi masive për njerëzit që na drejtojnë por edhe institucionet që drejtohen prej tyre. Mbi të gjitha urrejmë pronën dhe shenjtërinë e saj, institucionin e të vërtetës që lidhet me Drejtësinë, përkorjen dhe mbi të gjitha jemi të paditur me atë që bën të vërtetën. “Besimi në demokraci shkon paralelisht me besimin në institucionet shtetërore, i cili ka qenë prej kohësh problem në rajon. Sondazhet në të gjithë rajonin dhe në botë kanë treguar një rritje të besimit të njerëzve në qeveri, dhe madje edhe te liderët autokratikë, gjatë pandemisë koronavirus”, shkruan Miroslava German Sirotnikova e Birn. E dhimbshme është se të dhënat e Globsec të mbledhura në Mars 2020 tregojnë se shumica e njerëzve në rajonin e EQL, jo thjesht, nuk u besojnë partive tradicionale dhe ndjejnë një ndjenjë të rrënjosur thellë të pabarazisë në vendet e tyre, por janë pesimiste. Apo si e thotë pak më thatë, Adonis, një gazetar dhe publicist amerikan “Votimi nuk është më një e drejtë. Është një metodë e përdorur për të përcaktuar politikanin që është më i aftë t’ju shplaj trutë”. (Homo Albanicus)