Profesor Ksenofon Krisafi e konsideron si alogjike dhe absurditet të padiskutueshëm që të mendosh se Greqia do ta shtrijë gjerësinë e ujërave territoriale nga bregu i Korfuzit në drejtim të Sarandës në 12 milje detare.

Në një intervistë për gazetën Dita, Krisafi thekson se përplasjet në basenin e Egjeut nuk mund të mos jenë dëshpëruese për shqiptarët sepse bëhet fjalë për dy vende miq me Shqipërinë me të cilët na lidh një histori e bashkëjetesë e pashmangshme.

Duke komentuar mbi zërat dhe deklaratat nga Greqia për “12 milje zgjerim” në Detin Jon, Prof. Ksenofon Krisafi, thotë se kjo situatë nuk duhet të na shqetësojë.

“Është alogjike dhe absurditet i padiskutueshëm që të mendosh se Greqia do ta shtrijë gjerësinë e ujërave territoriale nga bregu i Korfuzit në drejtim të Sarandës në 12 milje detare. Së pari nuk ka hapësirë të mjaftueshme për këtë gjerësi. Së dyti, në bazë të nenit të lartpërmendur të Konventës për të drejtën e detit, këtë të drejtë e ka në të njëjtën masë edhe Shqipëria. Sipas kësaj logjike të këtyre “specialistëve për gjithçka” nuk del llogaria, sepse grekët do të duhet të dalin disa kilometra mbi kodrat e Sarandës, kurse shqiptarët do të kapërcenin diku nga mesi i territorit tokësor të ishullit të Korfuzit”, thekson ai.

“Ju më pyesni, a duhet të shqetësohemi. Jo. Nuk duhet të shqetësohemi. Mos u shqetësoni dhe mos u frikësoni! Ndoshta pamjet që vijnë nga ekranet e kanaleve të ndryshme televizive janë realisht të frikshme, por është dëshira e kujtdoqoftë, e popujve që aspirojnë paqen e mirëkuptimin që arsyeja të dominojë emocionet. Politika e të dy miqve tanë do të ketë urtësinë t’i kthehet sa më parë tryezës së negociatave, për gjetjen e zgjidhjeve që janë në interes të të dy vendeve”, thotë ai.