Këtë të hënë të 7 shtatorit nis sesioni i ri i legjislaturës së re në një seancë që pritet më tepër të jetë thjesht proceduriale. Kësisoj deputetët rikthehen nga pushimet, duke sjellë me vete edhe ethet, nëse do të munden që shtatorin tjetër të futen apo jo sallën e Kuvendit. Fati i tyre do të përcaktohet në pranverë dhe pikërisht në 25 prill, kur do të zhvillohen edhe zgjedhjet parlamentare. Rizgjedhja e tyre do të varet nga disa elementë: për socialistët, sfida e parë është të gëzojnë besimin e Edi Ramës për tu rikandiduar.
Për opozitarët e Kuvendit pikëpyetjet janë të ndryshme, pasi duhet të gjejnë rrugët e tyre të reja të përpjekjes që të përsërisin ëndrrën e pasjes së një kartoni votimi, ëndërr e cila u bë realitet vitin e shkuar, për shumë prej tyre aq aksidentalisht sa asnjëherë nuk e kishin menduar përpara se Lulzim Basha të digjte mandatet. E pasi të sigurojnë një vend në listat e kandidatëve, deputetëve do të duhet të luftojnë me armë të reja, në një terren të panjohur, ku listat do të jenë të hapura, dhe gara do të jetë më e fortë brenda partisë, pasi votuesi mund të zgjedhë edhe kandidatin e preferuar.
Rregullat se si do të zgjedhë qytetari edhe të preferuarin e tij brenda partisë duhet të shkruhen nga ky parlament. Koha nuk është e gjatë dhe Kodi Zgjedhor duhet të korrigjohet pas ndryshimeve kushtetuese që nuk u dakordësuan me PD dhe LSI. Sfidë ngelet nëse PS do të gjejë gjuhën me opozitën në këtë raund të dytë. Shenjat e para pritet të shihen javën e ardhshme, kur PD duhet të sjellë në Kuvend një të dërguar të posaçëm për të zgjedhur 12 anëtarët e KQZ-së së re siç është dakordësuar mes palëve në Këshillin politik. Gjithashtu parlamenti ka edhe çështje të tjera me rëndësi për të zgjidhur, si amnistia fiskale që u la përgjysmë.