Pagesat e kryera nga zbatimi i Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi dhe Blegtori për vitin 2020, po ecin me ritëm të shpejtë për të disbursuar fondet në përputhje me udhëzimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tek fermerët.
Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) njofton se “pagesa të kryera deri në datën 13 shtator nga Skema Kombëtare e mbështetjes për bujqësinë, janë dhënë për 3 5585 fermerët përfitues në vlerën totale prej 705 873 320 lekë”.

Në më pak tre muaj, që nga mbyllja e afatit të aplikimeve (19 qershor), është shpallur vija e financimit dhe lista e fituesve, në fazën e parë, lista e përditësuar me numrin e shtuar të fermerëve përfitues nga buxheti shtesë prej 400 milionë lekë, ndërsa është publikuar dhe lista e tretë me mbi 1 500 fermerë të tjerë përfitues në 4 masat e mbështetjes të Skemës dhe po vijon disbursimi i pagesave të drejtpërdrejta për fermerët fitues.

AZHBR nisi më 30 korrik shpërndarjen e fondeve për 700 fermerët e pare fitues të Skemës Kombëtare në vlerën totale prej147 milionë lekë. Ndërsa sot numëron 3 558 fermerë të disbursuar në të gjithë vendin ose 2 858 fermerë të financuar brenda për një periudhe prej një muaj e gjysëm. Administrata e AZHBR-së po vijon me verifikimin në terren për secilin nga rastet e fituesve të Skemës Kombëtare 2020. E gjithë struktura e AZHBR-së, që nga pranuesi i aplikimeve në Agropika, deri tek ekzekutuesi i pagesës dhe dërgimi në thesar, po kryen të gjithë procesin në kohë rekord.