35 shkolla profesionale në të gjithë vendin hapën sot dyert në këtë fillim të vitit të ri shkollor për të mirëpritur mbi 20 mijë nxënës.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj teksa u uroi atyre një vit të mbarë bëri të ditur se për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut e punës Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimit ka përmirësuar kurrikulat.

“Janë përditësuar 26 kurrikula me kërkesat e tregut të punës dhe nevojat e nxënësve në arsim profesional. Janë zhvilluar 2 profile të reja në “teknologji bujqësore” dhe “teknike peshkimi”. Janë përshtatur 125 kurrikula me sistemin e ri të kodimit sipas kërkesave të kornizës shqiptare të kualifikimeve dhe është përmirësuar struktura e modeleve të praktikës profesionale, duke u fokusuar në rezultatet e të nxënit të kërkuara në botën e punës”, bëri të ditur ministrja Denaj.