Kryeministri Giuseppe Conte hedh poshtë mundësinë e hapjes së stadiumeve gjatë kësaj faze të pandemisë Covid-19. Këto janë fjalët e tij në festën e gazetës “Il fatto”: “Sa më përket mua, prania e tifozëve në stadium është si një tubim, ku distanca sociale është e pamundur. Nuk po flas këtu për qëndrimin në shkallët e stadiumeve, por për fazën e hyrjes dhe daljes prej tyre. Kjo hipotezë është absolutisht e papërshtatshme”.
Edhe drejtori i Institutit të Lartë të Shëndetit në fqinjin tonë të përtej Adriatikut, Silvio Brusaferro, është pozicionuar kategorikisht kundër hapjes së stadiumeve në Serie A: “Nuk ka ende kushte për evente dhe ndeshje me publik. Mos u shqetësoni për kësi gjërash, përkundrazi, kemi nevojë për shumë vëmendje, ndërgjegjësim. Njerëzit duhet të dinë si të ruhen dhe të jetojnë me këtë virus. Të dhënat e këtyre ditëve janë për shkak të sjelljes së gushtit.
Grumbullimet masive konsiderohen në botë si niveli më i lartë i rrezikut, që nuk lidhet vetëm me ngjarjen. Ka një sërë problemesh në menaxhimin e hyrjes dhe daljes së njerëzve nga stadiumet. CTS beson se aktualisht nuk ka kushte për evente me spektatorë. Shqetësimi është gjithashtu që të mos mbingarkohet sistemi me faktorë të tjerë të rrezikut”.