Presidenti i FSHF-së Armand Duka, i vënë nën akuzë për abuzime me shitjen e të drejtës televizive kompanisë Digitalb ku ai vetë është aksioner, vazhdon të heshtë dhe të tregojë se nuk përgjigjet përpara askujt. Ende asnjë përgjigje nga FSHF në lidhje me abuzimet e shumta që janë gjetur nga autoriteti i konkurencës.

As vetë presidenti i saj, që së fundi ka marrë në dorë flamurin e përballjes me qeverinë për të zgjidhur kërkesat e sportit, nuk ka preferuar të japë asnjë koment.I akuzuar se ka favorizuar kompaninë Digitalb në dhënjen e të drejtës së transmetimit të ndeshjeve të Superligës, por edhe për abuzime me biletat e kombëtares dhe sponsporizimet, Armand Duka refuzon të japë shpjegime edhe kur pyetet publikisht. Si zyrtari që ka përgjegjësinë kryesore për shkeljet skandaloze, të provuara më pas edhe nga Gjykata Administrative, numri një i Federatës bën rolin e Shvejkut kur është fjala për të dhënë shpjegime mbi një vendim të dalë nga institucionet e shtetit shqiptar. Pyetjes së bërë nga gazetaret ai iu përgjigj në këtë mënyrë: Nuk ka asnjë lidhje me Ligjin për sponsorizimeve dhe këto që thashë unë, e ke mbajt në mend gabim pyetjen kur ta kanë thënë.

E megjithatë dikush duhet të japë llogari për monopolin në shitjen e së drejtës televizive, kompanisë Digitalb, ku vetë z.Duka është aksioner, por edhe abuzimet me shitjet e biletave të ndeshjeve të kombëtares dhe sponsorizimet. Gjykata Administrative i ka faktuar si shkelje, madje i ka lënë afat 120 ditë, pasi në rast të kundërt, do të përballet me sanksione. Ndoshta ka ardhur momenti që presidenti i përjetshëm i futbollit të përgjigjet, në mos para gazetarëve, në dyert e gjykatës.