Mohamed Salah e ka nisur sezonin e ri në Premierligë me het-trik. 28-vjeçari shënoi tre gola në fitoren e vështirë të Liverpoolit prej 4-3 kundër Leeds United.

Pas ndeshjes, portieri Alisson Becker, paralajmëroi kundërshtarët duke thënë se Salah, që theu shumë rekorde në sezonin e parë në Premierligë, edhe këtë edicion është i uritur për të arritur gjëra të mëdha me Redsat.

“Ai është i uritur, e ka nisur sezonin i uritur dhe jam i lumtur për këtë. Ai është shumë lojtar i rëndësishëm për ne. Het-triku? Kjo i jep atij besim dhe gjithashtu i shtyn lojtarët tjerë të punojnë edhe më shumë”, deklaroi Alisson.

Në sezonin e parë, Salah shënoi 44 gola në 52 paraqitje, duke thyer rekorde. Por, më pas dy sezonet e radhës disi uli ritmin dhe arriti vetëm në shifrën e 27 golave, respektivisht 23 edicionin e fundit në të gjitha garat. Sido që të jetë, ashtu si në sezonin 2017/18, Salah synon të shpërthejë edhe këtë edicion dhe për ta bërë këtë, në krah të tij ka më të mirët.