Ambasada e Shqipërisë në Londër ka lehtësuar më tej procedurat dhe shkurtuar afatet kohore për rinovimin e pasaportave dhe kartave të identitetit për qytetarët shqiptarë.
Në një njoftim, Ambasada sqaron se takimet për rinovimin e pasaportave dhe kartave ID do të realizohen brenda 10 ditëve pas aplikimit.
Zyra Konsullore në Londër thekson se gjatë muajit shtator do të punohet me orar të zgjatur nga ora 9:00 deri në orën 18:00.
“Suporti i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe angazhimi i stafit diplomatik dhe teknik kanë krijuar mundësinë që tashmë të lihen takimet brenda 10 ditëve nga aplikimi për Pasaportë dhe Kartë ID. Theksojmë se aplikimet për rinovimin e Pasaportave dhe Kartave ID mbyllen brënda 3 ditëve pune”, sqaron Ambasada ndërsa apelon që qytetarët të cilët kanë aplikuar duhet të kontrollojnë email-in.
Gjithashtu, Ambasada apelon që për rinovimin e pasaportave dhe kartave të identitetit të aplikohet online nëpërmjet platformës e-Albania dhe të respektohet data dhe ora e takimit.