Pragu i fushatave elektorale prodhon më shumë tituj “bombastikë”, sesa zhvillime konkrete në realitet, për shkak se të gjitha palët mbajnë gjallë interesin e qytetarëve. Jo vetëm media është e interesuar për këtë, por edhe vetë politika, e sidomos liderët kryesorë të saj. Menjëherë pas dekretimit të datës së zgjedhjeve të reja, nga Presidenti i Republikës Ilir Meta për më 25 prill 2021, titulli i parë me “bombastik” që është emetuar deri tani është ai për garën e Durrësit.
I pari që deklaroi zyrtarisht se do të kandidonte në qarkun e dytë më të rëndësishëm të vendit, në qytetin portin e Durrësit, ishte Kryeministri i vendit: “Unë kam marrë përsipër të kujdesem për Durrësin sepse është një zonë me rëndësi të posaçme në këtë fazë kur ne na duhet të ndërtojmë aty një shembull spektakolar të ndërtimit pas gjithë asaj tragjedie “tërmetit) që kaloi Durrësi. Është pjesa më e dëmtuar dhe pjesa më sfiduese e rindërtimit pasi aty do të duhet të bëjmë një punë shumë të madhe. Kemi ecur shumë me projektet. Janë Emiratet e Bashkuara që do të na mbështesin financiarisht dhe me ekspertizë teknike, në mënyrë që të arrimë të bëjmë diçka fantastike në Durrës.”- deklaroi Edi Rama.
Ndërsa pas kësaj, mediat vrapuan dhe nxorën lajmin: “Në selinë e PD po qarkullojnë zërat se Basha mund të shkoje të drejtojë qarkun e Durrësit për t’u perballur direkt me Ramën. Durrësi është një qark i rëndësishëm për rezultatin e zgjedhjeve për shkak të ndryshimit të shpeshtë të shifrave elektorale ndaj parashikohet një betejë e fortë në qytetin bregdetar. Beteja do ishte më shumë sesa interesante nëse dy liderët do përballeshin “kokë më kokë”.
E si të mos mjaftonte që në Durrës do përplaskan brirët dy “deshët” e politikës, mediat fusin në lojë edhe një të tretë: Monika Kryemadhin e LSI, e ajo sipas stilit të saj tha: “Po pse jo. Nuk ka asgjë të keqe, (të garoj në Durrës) është interesante. E gjitha do të jetë në funksion të maksimizimit të votës dhe të krijimit të oportuniteteve dhe mundësive për kandidatë të rinj, për djem dhe vajza të reja, për burra dhe gra të rinj në politikën shqiptare, të cilët kanë background profesional, por dhe kanë dëshirë për të ndryshuar dhe për tu bërë pjesë e politikës dhe e vendimmarrjes”.
Sigurisht që në fund, as Lulzim Basha nuk do të kandidojë në Durrës dhe as Monika Kryemadhi, jo e jo. Për një arsye fare të thjeshtë. Ata po i mbajnë ison një teze medaitike, por kjo nuk ka lidhje me vendimin racional për garën reale. Sepse të jesh lider i një partie politike, në fund të fundit, nuk ke përgjegjësi thjeshtë për të sfiduar Edi Ramën në Durrës. Sepse, as Kryetari i PD dhe as Kryetarja e LSI, nuk janë aty për të aspiruar fitoret politike dhe elektorale lokale. Këto të kësaj radhe, janë zgjedhje të përgjithëshme parlamentare dhe jo zgjedhje për të drejtuar Bashkinë e Durrësit.
Ka qenë një taktikë e Kryeministrit për të shpërndarë qendrat e gravitetit elektoral për të kandiduar jo në Tiranë, ku ka qenë për 3 mandate kryetar bashkie dhe ka një ndikim absolut. Por kandidoi fillimisht në Vlorë si një nga bationet e PS që kishte nevojë për një mesazh të fortë përmes pranisë atje si deputet të Nr. 1 të partisë në pushtet. Ndërsa tani, në Durrës, për arsyet që ai i ka shpjeguar më së miri vetë. Ndaj, edhe Basha edhe Kryemadhi, kanë një sfidë shumë më të madhe këtë radhë, sesa ti tregojnë kundërshtarit të tyre kryesor se e mundin apo e sfidojnë dot apo jo në Durrës.
Çështja jetike për ta, është nëse do arrijnë ose jo që ta mundin Edi Ramën në të gjithë Shqipërinë, në mënyrë që ta rikthejnë opozitën në pushtet. Ndaj, ideja për një garë elektorale mes Edi Ramës, Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit në Durrës, është e bukur për të qenë e vërtetë mediatikisht. Por, qesharake politikisht dhe elektoralisht. Alpenews.al