Bashkia Korçë në një deklartë për shtyp bën të ditur se, “Partia Demokratike pasi nuk u interesua asnjëherë për biznesin gjithë këto vite e gjithë këto muaj pandemie e pasi nuk bëri asgjë për të edhe kur ishte në pushtet, duket që është zgjuar në prag të fushatës elektorale duke hapur thesin e premtimeve dhe gënjeshtrave”. “Përpara se të fillojnë të ëndërrojnë për pushtetin që kuptohet qartë është dëshpërimisht i dëshiruar prej tyre, duhet të mësojnë konceptetet elementare të ligjit për taksat për t’i patur më të moderuara e jo aq absurde e qesharake premtimet e tyre tërësisht të gënjeshtërta të cilat nuk i ha jo vetëm biznesi por askush që ka një njohuri fare minimale mbi taksat e tarifat”- citon deklarata e bashkisë Korçë. Ku ndër të tjera thekson se, “taksat vendore përcaktohen me ligj nga qeveria qëndrore e jo nga bashkia. Bizneset dhe të punësuarit e tyre në gjithë vendin në kushtet e pandemisë kanë përfituar lehtësi dhe kompensim me akte normative të qeverisë shqiptare.

Tarifat vendore miratohen me vendim të Këshillit Bashkiak dhe janë kontribut i qytetarëve dhe bizneseve për shërbimet e ofruara nga bashkia: ndriçim, pastrim, gjelbërim, shërbime të cilat jo vetëm nuk janë ndërprerë asnjë ditë edhe në kushtet e izolimit, por janë në rritje progresive me shtim të sipërfaqeve të gjelbëruara, pastrimit dhe ndriçimit publik në qytet dhe fshatra”. Bashkia Korçë nënvizon se “Lehtësitë konkrete të bashkisë për minimizimin e barrës fiskale të bizneseve në këtë periudhë shumë të vështirë për bizneset në gjithë botën, i rreshtuam konkretisht në deklaratën e ditës së premte e bizneset i dinë mirë.

E thënë ndyshe këto muaj të vështirë kanë sjellë shumë më pak lek në buxhetin e bashkisë edhe pse shërbimet e ofruara kanë qënë në rritje dhe më shumë të ardhura në xhepat e qytetarëve dhe bizneseve”. “Bashkia Korçë është e mandatuar me votën e lirë të banorëve të saj që nga viti 2019-2023. Kurdo që të jetë e ardhmja e pakryer dëshirore e demokratëve për të qeverisur lokalisht premtimi qesharak i kompensimit të taksave është GËNJESHTËR e pa bazuar në ligj. Tarifat lokale që bashkia vjel nga bizneset lokale janë tërësisht ligjore dhe asnjë vendim pas këtij nuk mund të ketë fuqinë prapavepruese për të kthyer mbrapsht një detyrim të bazuar në ligj! Biznese të Korçës!

Premtimi i PD lokale për kompensim të tarifave është gënjeshtër elektorale e pa mbështetur në ligj. Ne do vijojmë të jemi si gjithë këto vite në krahun tuaj në të mirë të bizneseve, familjeve dhe ekonomisë lokale. Pas vitit 2023 kur mbaron mandati ligjor i bashkisë qytetarët dhe bizneset nuk do ta kenë të vështirë të vendosin në peshore punët dhe arritjet e kësaj bashkie me gënjeshtrat absurde të demokratëve të etur për pushtet. Koha e ka treguar dhe jemi të bindur do vijojë ta tregojë!”- bëhet e ditur në deklaratën e bashkisë Korçë.