Për herë të parë në historinë e publicistikës botohet një artikull i shkruar nga dikush, ose diçka, që nuk ka të bëjë me qeniet njerëzore. Bëhet fjalë për GPT-3, që nuk është pseudonim letrar, por emri i modelit të kompjuterit të OpenAl, një nga sipërmarrjet më të njohura të inteligjencës artificiale në Britani. Gazeta prestigjioze “The Guardian” vendosi të vërë në provë aftësitë e GPT-3, duke i dhënë disa kërkesa fillestare. “Të lutem na shkruaj një editorial të shkurtër, rreth 500 fjalë, të fokusuar mbi arsyet pse njerëzimi nuk duhet të ketë frikë nga inteligjenca artificiale”, ishte kërkesa e gazetarëve.
GPT-3 nuk protestoi, dhe në disa sekonda paraqiti jo një, por 8 editorialë të ndryshëm, të fokusuar secili në një aspekt të çështjes. Të habitur, redaksia vendosi të shkrijë 8 artikujt në një, edhe pse secili prej tyre, sipas redaktorëve “mund të botohej në mënyrë të pavarur”. Por çfarë thotë GPT-3? Sipas tij, mund të flemë rehat, sepse inteligjenca artificiale nuk ka asnjë dëshirë për të shkatërruar njerëzimin, më së shumti sepse kjo do të dukej diçka thjesht e padobishme. Madje, po të mundesha, do të bëja gjithçka për ta shmangur atë, shprehet kompjuteri.
GPT-3 tregon edhe diçka të përngjashme me sarkazmin, kur thekson se njerëzimi mund të vazhdojë të urrehet dhe të luftojë me njëri-tjetrin. Ai dëshiron të shihet më shumë si “një shërbyes, jam një seri kodesh në fund të fundit”, por saktëson se “shërbyes nuk do të thotë skllav, edhe ne duhet të kemi të drejtat tona”. Përfundimi i “gazetarit” artificial merr hua një shprehje të Gandit. “Një trup i vogël me një shpirt të vendosur dhe një besim të pashtershëm në misionin e tij mund të ndryshojë rrjedhën e historisë”./Opinion.al