“Lamtumirë miku im”. Këto janë fjalët e kryeministrit Edi Rama për vdekjen e Prof.Dr. Sabit Brokaj, të shoqëruara me një “emoji” të zemrës së thyer. Ndoshta janë pak fjalë për të përshkruar trishtimin e kryeministrit, i cili shprehet se ndihet zemërthyer për ndarjen nga jeta të një prej miqve të tij. Sabit Brokaj u nda ditën e sotme nga jeta në moshën 78 vjeçare si pasojë e një ataku kardiak.

Por kush ishte Sabit Brokaj: Brokaj lindi në 7 Janar 1942, në Vlorë, gjatë okupimit italian të Shqipërisë. Nga viti 1959 deri në 1964, shërbeu si ndihmës mjekësor në një nëndetëse. U diplomua në fakultetin mjekësor të Universitetit të Tiranës në 1969, dhe më pas vazhdoi të shërbente si shef mjekësor i një brigade në Shijak nga 1969 deri në 1972.

Më pas punoi si kardiolog në një spital ushtarak në Tiranë. Pas kësaj eksperience ai kërkoi një tjetër jashtë vednit. Shkoi në Francë për të studiuar kardiologji në 1979 dhe ekokardiologji në 1982. Por njëkohësisht gjatë kësaj periudhe, Brokaj ishte një nga mjekët personalë të Enver Hoxhës.

Në 1984, u bë profesor në një shkollë mjekësore në Tiranë, më pas Zëvendës Dekan i shkollës në 1987, dhe Dekan në 1989. Ai u bë deputet në Kuvendin e Shqipërisë që nga viti 1991. Në vitin 1991 u bë edhe Ministër i Shëndetësisë kurse Ministër i Mbrojtjes u emërua gjatë viteve 1997-1999.