Disa ministra të Jashtëm të BE shprehën mbështetjen e tyre për aplikimin e sanksioneve kundër personave të përfshirë në shtypjen ose mashtrimin me zgjedhjet në Bjellorusi, pas një takimi me udhëheqësen e opozitës bjelloruse, Svetlana Tikhanovskaya. Ministri i Jashtëm lituanez, Linas Linkevicius tha se kishte ardhur koha për veprim.

“Me të vërtetë që ka ardhur koha për të vepruar. Thjesht më e pakta që mund të bëjmë”, tha ai gjatë bisedimeve me homologët e tij europianë në Bruksel. Opinione të ngjashme u shprehën nga diplomatët e lartë nga Rumania dhe Kroacia. Shefi i Punëve të Jashtme të BE, Josep Borrell vlerësoi ndërkohë guximin e popullit bjellorus.