Babai dhe menaxheri i Lionel Messit, Jorge, dhe presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, dështuan në përpjekjet e tyre për të gjetur zgjidhje për të ardhmen e kapitenit, në një takim ku Jorge ia bëri me dije shefit të klubit katalonas se djali i tij s’e ka ndërmend të qëndrojë. Messi tronditi javën e kaluar duke e kërkuar largimin nga Barça përmes një klauzole, përmes të cilës beson se mund të ikë në mënyrë të njëanshme dhe falas.

Por Barcelona thotë se ajo klauzolë ka skaduar më 10 qershor dhe se Messi është vonuar, duke këmbëngulur se mënyra e vetme që kapiteni i saj mund të largohet është përmes pagimit të klauzolës tjetër në vlerë 700 milionë euro. Për shkak të këtij ngërçi, dje u takuan Bartomeu dhe Jorge Messi. Jorge u shoqërua nga Rodrigo Messi, vëllai dhe këshilltari i Leos, derisa Bartomeu u solli me vete drejtorin e klubit Javier Bordas. “Djali im nuk do të qëndrojë në Barcelonë”, Jorge i ka thënë presidentit të Barcelonës, sipas TyC Sports. Thuhet se takimi ka zgjatur mbi një orë e gjysmë. Bisedimet mes tyre do të vazhdojnë deri në gjetjen e një zgjidhjeje.