Rikthimi i nxënësve nëpër shkolla në këtë situatë duhet të shoqërohet me optimizëm dhe prindërit duhet punojnë për të rritur sigurinë emocionale tek fëmijët e tyre. Orjola Plaku, psikologe shkollore edhe psikoterapiste në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare shpjegoi rolin e rëndësishëm të prindërve dhe mësuesve në procesin e rikthimit të nxënësve në bankat e shkollës, në situatën e pandemisë.

Sipas Plakut, një vëmendje e veçantë u duhet kushtuar sidomos fëmijëve të cilët kanë humbur të afërmit apo familjarët e tyre për shkak të COVID-19.

“Rikthimi i nxënësve nëpër shkolla në këtë situatë duhet shoqërohet me optimizëm dhe prindërit duhet punojnë për të rritur sigurinë emocionale tek fëmijët e tyre. Sigurisht që kjo gjë do të sjellë ndryshime në aspektin e përshtatjes dhe të nxënit. Në vëmendje duhet të jenë fëmijët apo adoleshentët të cilët kanë humbur të afërmit e tyre apo familjarë. Një rol tepër të rëndësishëm kanë mësuesit të cilët duhet që të jetë observues të mirë të gjendjes psiko-emocionale të nxënësve dhe referimi për vlerësim psikologjik nga ana e psikologut në shkollë dhe mbështetja e tyre në rast nevoje”, u shpreh Plaku.

Psikologia tha ndër të tjera se situata e pandemisë kërkon më shumë komunikim nga ana e prindërve me fëmijët, me qëllim që të mbahet nën kujdes aspekti emocional i tyre.

“Kjo është një situatë që kërkon rritje të fokusit prindëror dhe komunikime të vazhdueshme me fëmijët me qëllim rritjen dhe kujdesin personal në shkolla. Përpos kësaj bisedat duhet të jenë të thjeshta bazuar në kapacitetin intelektual të fëmijës. Gjithashtu, duhet shpjeguar se në këto kohë duhet kujdes duke përdorur mjetet e nevojshme të sigurisë”, shtoi ajo.

Për nxënësit që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, psikologia Plaku thotë se veçanërisht tek ta duhet të nxitet energjia pozitive dhe t’iu shpjegohet se situata e pandemisë dhe masat që do të respektohen në shkolla, përbëjnë një periudhë tranzitore dhe jo një situatë që do të zgjasë përgjithmonë.

“Për ata që ulen në bankat e shkollës për herë të parë, fëmija duhet të përgatitet psikologjikisht që kjo është një periudhë tranzitore. Fëmijët kanë nevojë për suport emocional të vazhdueshëm si nga ana e mësueses por edhe nga individë të tjerë. Mësimdhënia është art më vete dhe në këto kohë tek fëmijët duhet nxitur energjia pozitive por sigurisht duke aktivizuar kujdesin maksimal ndaj vetes”, përfundoi psikologia për ATSH-në.