Kreu i qeverisë italiane, Giuseppe Conte tha sot se propozimi i Komisionit të Brukselit për një politikë të re migracioni përfaqëson një hap të rëndësishëm, edhe pse ende i pamjaftueshëm, drejt një qasjeje me të vërtetë europiane. “Pakti i Migracionit është një hap i rëndësishëm drejt një politike të vërtetë europiane migracioni. Këshilli Europian tani duhet të ndërthurë solidaritetin me përgjegjësinë”, shkroi ai në Twitter.
“Ne kemi nevojë për siguri në riatdhesimin dhe zhvendosjen e migrantëve. Vendet e mbërritjes së parë nuk mund t’i menaxhojnë krejt të vetme flukset migruese për llogari të Europës”, përfundoi kreu i qeverisë italiane, vendi i të cilit është në frontin e parë të rrugës së migrantëve nga Afrika Veriore, kryesisht Libia. Brukseli paraqiti sot një reformë në poltikën e azilit duke siguruar, ndër të tjera, një shtrëngim në kthimet e migrantëve të parregullt, rritjen e kontrolleve në kufijtë e jashtëm dhe një përshpejtim të procedurave të migracionit.