Franca konfirmoi gati 13.500 raste të reja COVID-19 gjatë 24-orëve të fundit duke vendosur një tjetër rekord ditor në numrin e infeksioneve në vend që nga fillimi i pandemisë së coronavirusit.

Sipas Santé France, autoriteti shëndetësor francez, 13.498 raste të reja të COVID-19 u raportuan në 24 orë, 283 më shumë se një ditë më parë kur u vendos një rekord i mëparshëm me 13.215 raste.

Rastet e reja e çojnë numrin e përgjithshëm të rasteve të regjistruara të virusit në Francë në 442.194.

Numri i njerëzve që kanë vdekur nga virusi gjithashtu u rrit me 26 viktima gjatë 24 orëve të fundit, duke bërë që numri total i vdekjeve nga COVID-19 në Francë të shkojë në 31,274.

Franca ka shënuar një rritje të vazhdueshme të rasteve ditore me COVID-19, teksa norma e testeve pozitive është rritur në 5.6 për qind ditët e fundit.

Autoritetet ia kanë atribuuar rritjen e rasteve të raportuara testimeve në shkallë më të gjerë, pasi qeveria franceze i bëri ato të lira, dhe njëkohësisht një qarkullimi më të shpejtë të virusit.

Stafi në qendrat e testimit hyri në grevë të enjten në një mosmarrëveshje mbi kushtet e punës, ndërsa sistemi i testimit u përball me një vrull kërkesash nga qytetarët për të bërë testin.