Polonia nga sot ka ndaluar të gjitha fluturimet direkte, deri më 15 shtator, nga dhe për në 44 vende të botës, duke përfshirë edhe Shqipërinë, masë kjo për të frenuar përhapjen e infeksionit të koronavirusit. Lajmi është konfirmuar edhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës i cili njoftoi se Polonia merr vendimin për të mbyllur fluturimet me Shqipërinë, ndërsa sqaron se vetëm disa kategori do lejohen të udhëtojnë për në Varshavë.
Nga ana tjetër, shtete të tilla si Franca dhe Kroacia nuk janë përfshinë në masën e re bllokuese, edhe pse ato tejkalojnë kriterin e 60 infeksioneve të reja për 100 mijë banorë, në një periudhë prej 14 ditësh, tregues ky që nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve përdoret si referencë për vlerësimin e rrezikut epidemik të një vendi.
“Në rastin e të dy këtyre shteteve ka tregues të tjerë që duhet të merren parasysh”, shpjegoi Zëvendës Ministri i Infrastrukturës, Marcin Horala, duke specifikuar se situata epidemiologjike e Francës dhe Kroacisë në çdo rast do të monitorohet vazhdimisht. “Masa ka lidhje me përkeqësimin e situatës epidemiologjike në të gjithë botën dhe shfaqjen e shpërthimeve të reja të koronavirusit” – tha Ministria e Jashtme polake. Polonia, e cila ka rreth 38 milion banorë, ka regjistruar zyrtarisht 67,922 infeksione COVID-19 dhe më shumë se 2,000 njerëz kanë vdekur nga virusi.