Kur kryeministri Edi Rama lançoi kohë më parë projektin e tij për mini-shengenin Ballkanik, ata që e kundërshtuan dhe e quajtën “projekt të Beogradit dhe Vuçiçit” ishin të shumtë, në Shqipëri dhe Kosovë. Mirëpo, një prej pikave të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë që u firmos sot në Uashington me bekimin e Presidentit Donald Trump është dhe ajo për Shengenin Rajonal.
**Pika e 5-të e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë, e arritur sot, thotë: “Të dy palët do të futen në “mini-Schengen”, të shpalosur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019 dhe të shfrytëzojnë plotësisht përfitimet e saj.” “Keqardhje që u humb kaq kohë për t’u dakordësuar me Shengenin Rajonal,si një projekt ambicioz me interes kombëtar zhvillimi përmes rritjes së bashkëpunimit, e si një shtysë më shumë për integrimin europian të shteteve tona. Po më mirë vonë se kurrë, edhe falë Amerikës mike”, shkroi Rama menjëherë sapo “tymi i bardhë” doli në SHBA.
Përveç liderëve të politikës në Tiranë, edhe në Prishtinë marrëveshja e arritur u përshëndet gjerësisht. Madje edhe nga ata politikanë kosovarë që dikur kur Rama prezantoi mini-shengenin aluduan për një Jugosllavi të re. Kështu, kreu i LDK Isa Mustafa dhe ai i AAK Ramush Haradinaj dikur e kundërshtonin këtë projekt, por sot e përshëndesin dhe falenderojnë Trump.
“Në shiqim të parë duken projekte atraktive, por në esencë qojnë në një Jugosllavi të re, me Shqipërinë e pa Kroacinë dhe Slloveninë. Janë ide që nuk i kemi përkrahur sa e kemi drejtuar qeverinë dhe nuk do ti përkrahim si Lidhje Demokratike e Kosovës, as në pozitë dhe as në opozitë…. Marrëveshjet e Mini-shengenit lindi kur nuk u realizua projekti i ideuar në Serbi për Unionin Doganor dhe idea për Unionin Ekonomik të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, për shkak të kundërshtimit të Kosovës dhe të Malit të Zi”, shkruante dikur Mustafa.
Ish-kryeministri Haradinaj, sot në koalicion me LDK e Isa Mustafës, e quante mini-shengenin zgjerim të influencës ruse dhe kineze në Ballkan. “Minishengeni për të cilin po na ftojnë Vuçiqi, Rama e Zajevi është vetëm zgjerim i influencës ruse dhe kineze në Ballkan. Nuk është interes i Kosovës dhe Evropës. Rusia dhe Kina janë të instaluara në të gjitha aspektet në Beograd. Kur ne bëjmë rregulla të njëjta me automatizëm kjo influencë zgjerohet në vendet tona. A ka interes Kosova që kjo influencë të zgjerohet në Kosovë, jo pra nuk është në interes tonin”, shprehej dikur Haradinaj.