Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka thumbuar jo pak Partinë Demokratike, në aktivitetin e sotëm të Forumit të Gruas Socialiste, kur krahasoi mentalitetin e hapur që ekziston në Partinë Socialiste me prurjen e vajzave dhe grave të reja në forumet e saj, me mentalitetin e PD-së, nga radhët e së cilës janë larguar emra me peshë si Jozefina Topalli, apo Majlinda Bregu.
Sipas tij, Partia Socialiste e ka në natyrë të afrojë çdo ditë e më shumë vajza dhe gra, çka bën diferencën me çdo parti tjetër që kërkon të vijë në pushtet përmes politikave përjashtuese. “Ne sot krenohemi kur themi: “Edhe një”. Kurse, kundërshtari ynë thotë: Iku edhe një! Se iku Jozefina. Iku edhe një, se iku Majlinda Bregu. Diferenca mes një partie demokratike dhe një partie të lodhur nuk është emri, por mentaliteti. Në forcën tonë ka gëzim kur vjen edhe një. Në partinë e tyre ka gëzim kur ikën edhe një, kur edhe një grua tjetër largohet nga një parti që është kthyer në një tufë burrash të mllefosur”, tha Veliaj.
“Ky është mesazhi ynë i fitores, – tha drejtuesi i qarkut të Tiranës, – se i gëzohemi çdo zonje, çdo zonjushe, çdo goce dhe vajze, – “edhe një”, – kur bashkohet me forcën tonë politike”.