Nga ROLAND QAFOKU
1. Mes 33 kryeministrave të shtetit shqiptar, deri më sot, Edi Rama është i dyti për kohëzgjatjen më të madhe në detyrë me 12 vjet e 5 muaj e 15 ditë (Me mandat për të qenë 16 vjet). Kryeministri i parë më jetëgjatë në detyrë është Mehmet Shehu me 27 vjet, 4 muaj e 28 ditë. Kryeministri i tretë më jetëgjatë në detyrë është Enver Hoxha me 9 vjet, 9 muaj e 26 ditë. I katërti Adil Çarçani me 9 vjet, 1 muaj e 6 ditë dhe Sali Berisha me 8 vjet.

2. Nga shtatori i vitit 2013 kur mori detyrën e deri më sot kryeministri Edi Rama ka punuar me 75 ministra. I vetmi ministër që është ende në kabinetin e tij dhe që ka qenë edhe në kabinetin e parë është zonja Mirela Kumbaro.

3. Nga shtatori 2013 deri më sot në kabineti e tij, kryeministri Edi Rama ka patur 7 zëvendëskryeministra: Niko Peleshi, Ledina Mandia, Senida Mesi, Erjon Braçe, Arben Ahmetaj, Belinda Balluku dhe Albana Koçiu.

4. Në kabinetin e kryeministrit Edi Rama, mesatarisht një zëvendëskryeministër qendron në detyrë 1 vit e 7 muaj.

5. Nga shtatori 2013 e deri tani, kryeministri Edi Ram ka patur 9 ministra të brendshëm; Saimir Tahiri, Fatmir Xhafaj (2 herë), Dritan Demiraj, Sandër Lleshi, Bledi Çuçi, Taulant Balla, Ervin Hoxha, Albana Koçiu, Besfort Lamallari. Lamallari është ministri i Brendshëm i 68-të në historinë e shtetit shqiptar. Albana Koçiu është e para dhe e vetmja grua në krye të këtij dikasteri.

6. Në kabinetin e kryeministrit Edi Rama, mesatarisht një ministër i Brendshëm qendron në detyrë 1 vit e 4 muaj.

7. Nga shtatori 2013 deri më sot Edi Rama ka patur 7 ministra të jashtëm: Ditmir Bushati, Edi Rama, Gent Caka, Olta Xhaçka, Igli Hasani, Elisa Spiropali, Ferit Hoxha. Ferit Hoxha është ministri i 54-t i Jashtëm në historinë e shtetit shqiptar. Hoxha është diplomati i parë pas 34 vitesh që emërohet ministër i Jashtëm. I fundit përpara tij ka qenë diplomati Ilir Boçka që ishte ministër i jashtëm në qëverinë e kryeministrit Vilson Ahmeti nga 18 dhjetori 1991 deri në 13 prill 1992.

8. Në kabinetin e kryeministrit Edi Rama, mesatarisht një ministër i Jashtëm qendron në detyrë 1 vit e 7 muaj.

9. Në qeveritë e kryeministrit Edi Rama ka patur më pak gra në kabinetin e parë, 6 të tilla dhe 14 burra dhe më shumë gra në kabinetin 3, me 12 gra dhe 5 burra. Aktualisht në kabinetin e ndryshuar, Rama ka 7 gra dhe 11 burra pa llogaritur gjininë e ministrit AI.

10. Mes 75 ministrave të 4 kabineteve të kryeministrit Edi Rama, 4 prej tyre janë arrestuar: Saimir Tahiri, Lefter Koka, Ilir Beqja, Arben Ahmetaj (në kërkim), Erion Veliaj.

Shënim: Ju lutem mos e kopjoni numrin 10 të fakteve dhe të bëni një shkrim më vete me faktet tuaja. Mund të shkruani fjala vjen me numrin 11 siç shkroi njëri, ose me numrin 12 siç shkroi një tjetër, por jo “10 fakte” sepse këtë rubrikë mezi e kam prej 30 vjetësh.