Thiago Alcantara mund të quhet një futbollist i Liverpoolit, pasi tashmë vetëm zyrtarizimi e ndan nga kampionët e Anglisë. Këta të fundit kanë arritur marrëveshjen me Bayernin e Mynihut për blerjen e mesfushorit spanjoll për shifrën e 30 milionë euro. Lajmi ne dhanë mediat gjermane mëngjesin e sotëm, ndërsa disa orë më vonë ishte edhe CEO i klubit të Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge që konfirmoi arritjen e marrëveshjes me Liverpoolin për transferimin e 29-vjeçarit në “Anfield Road”.
“Mund të konfirmoj se Bayerni i Mynihut ka arritur një akord përfundimtar për transferimin e Alcantarës te anglezët. Ishte vetë dëshira e Thiagos që të provonte diçka të re në vitet e fundit të karrierës dhe ne ia plotësuam”, u shpreh Rummenigge.
Mesfushori spanjoll pritet të mbërrijë në Liverpool brenda ditës së sotme dhe menjëherë pasi të kalojë testet mjekësore, do të nisë përgatitjet nën urdhrat e trajnerit gjerman Jurgen Klopp, i cili ishte personi që këmbënguli për transferimin e tij. Thiago Alcantara është rritur në akademinë e Barcelonës, me të cilën debutoi në vitin 2009 dhe qëndroi plot 4 sezone në “Camp Nou”. Në verën e 2013-ës Thiago u transferua te Bayern, për t’u bashkuar me Pep Guardiolën, ndërsa në 7 sezon me gjermanët, ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve dhe ka shënuar 31 gola në 235 ndeshje me bavarezët.