Që prej instalimit për herë të parë të rezonancës magnetike në 2019 në spitalin e Elbasanit, e cila plotësoi shërbimin e imazherisë në këtë spital, janë kryer deri tani 4762 ekzaminime.
Kështu u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
“Rezonanca moderne në spitalin e Elbasanit ka rritur cilësinë e ekzaminimeve, duke ndihmuar në trajtimin më të mirë të pacientëve.
480 mijë banorë të Elbasanit dhe Korçës nuk janë të detyruar të vijnë në Tiranë, por e marrin këtë shërbim falas, me cilësi dhe afër vendbanimit”, – theksoi Manastirliu.
Rezonanca në spitalin e Elbasanit ka vlerë 770 mijë dollarë dhe është në funksion të plotë prej një viti. Më parë imazheria ishte e shpërndarë, skaneri, grafia, tashmë janë të gjitha të përqendruara në një ambient.