Rigjallërimi ekonomik post-COVID vijon me intensitet, edhe pse epidemia është aktualisht në kulmin e saj. E dhëna e parë punësimi. 2/3 e vendeve të punës së humbur gjatë mars-prillit, konfirmuar nga listë-pagesat zyrtare të Tatimeve janë rikuperuar. E dhëna e dytë. Shqipëria në korrik kishte 3 mijë biznese më shumë se në muajin shkurt. Dhe e dhëna e tretë. Muajin e kaluar, të ardhurat e mbledhura nga TVSH e brendshme ishin 7.9 për qind ose 314 milionë lekë (rreth 30 mln USD) më shumë se një vit më parë.
Ky tregues është shumë i rëndësishëm dhe domethënës, pasi përveçse sinjalizon rikthimin e konsumit në territor pozitiv, sugjeron se aktiviteti ekonomik po i rikthehet normalitetit dhe se shqiptarët janë rikthyer në punë dhe me të ardhurat që sigurojnë kanë nisur të shpenzojnë si më parë.
Paralelisht në qershor dhe korrik pas hapjes graduale të ekonomisë, importet e mallrave i janë rikthyer nivelit normal duke qenë thuajse të barabarta me vitin e kaluar, ndërkohë që rënia e eksporteve vazhdon të ngushtohet muaj pas muaji.
Ndërkohë, të gjitha pritshmëritë janë se rimëkëmbja ekonomike do të forcohet më tej gjatë muajve të mbetur të vitit, teksa programi rindërtimit nga tërmeti do të injektojë stimuj masivë në ekonomi duke rigjallëruar kërkesën e brendshme.
Sot Shqipëria, ashtu si bota po jeton në një realitet të ri ekonomi. Një realitet me pasiguri më të larta për shkak të pandemisë. Ndaj në këto kohë, parashikimet më të sakta për ekonominë mund të vijnë nga mikrobiologjia se sa makroekonomia. Por, përjashtuar një përkeqësim të ndjeshëm të situatës pandemike, e cila mund të detyrojë qeveritë kudo në botë, përfshirë atë shqiptare, t’i rikthehen masave kufizuese, ekonomia shqiptare do të vazhdojë të rimëkëmbet me shpejtësi.