Nga Alfred Peza/ Me dorëzimin në tryezën e Këshillit Politik të draftit të tyre për listat e hapura, koalicionet dhe pragun elektoral, PD dhe LSI nuk bëri gjë tjetër, veçse legjitimoi përfundimisht ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut të miratuara nga Parlamenti. Shenjën e parë për këtë, e kishte dhënë fillimisht Presidenti i Republikës Ilir Meta, kur e kaloi në heshtje gjatë verës dekretin për to.
Hedhja e këtij hapi nga ana e “Opozitës së Bashkuar” shënoi edhe fundin e një loje të madhe opozitare, që nisi me djegien e mandateve të deputetëve të saj, në fillim të vitit të shkuar. Në këtë mënyrë, kjo e hënë e 28 shtatorit 2020 duhet mbajtur mend mirë. Sepse është dita kur dështoi zyrtarisht, e gjithë strategjia e Sali Berishës, Lulzim Bashës, Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit për delegjitimin e mazhorancës socialiste, të dalë nga zgjedhjet e 2017.
Duke njohur ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut të propozuara nga opozita e re Parlamentare, PD dhe LSI nuk bënë gjë tjetër, veçse e legjitimuan më në fund atë edhe zyrtarisht. Deri dje, opozita e rrugës bëri gjithçka sidomos ndërkombëtarisht, për ta zhbërë opozitën e re institucionale. Drafti i paraqitur sot në tryezën e Këshillit Politik nga Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, sapo i dha qytetari deputetëve të rinj që u zunë vendin, pasi ata vetë e baktisën Parlamentin.
Përtej të gjitha këtij zhvillimi shumë të rëndësishëm, është arritur një fitore tjetër shumë e madhe, që i tejkalon vetë partitë politike në lojë. Dorëzimi i draftit nga PD e LSI, shënoi edhe fundin zyrtar të të gjitha përpjekjeve opozitare për bllokimin, shtyrjen dhe zhbërjen e reformës në drejtësi. Çka ishte qëllimi kryesor që fshihej pas “revolucionit të molotovëve”. Ky hap çliron energji pozitive, që e bëjnë gjithnjë e më të lehtë rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, ku ngritja dhe funksionimi i institucioneve të reja të drejtësisë është prioritet.
Kjo është ndoshta edhe arsyeja se përse Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim e përshëndeti menjëherë aktin e përfaqësuesve të PD dhe LSI, për dorëzimin e propozimeve të tyre në Këshillin Politik:
“Jam shumë e kënaqur që opozita jashtë parlamentit ka marrë përgjegjësitë e saj për të përfaqësuar popullin. Opozita të jetë e angazhuar dhe të gjitha palët të sjellin propozime reale. Sot opozita ka bërë një propozim dhe jam e lumtur që PS ka thënë se do ta marrë këtë kundërpropozim dhe do të ketë një debat real për ta përfshirë. Kjo është ajo që presim nga një vend që është anëtar i NATO, aspiron BE dhe kryeson OSBE. 5 qershorit arriti një marrëveshje transparente dhe çdo palë që ka nënshkruar duhet t’i qëndrojë asaj sepse është çështje nderi. Nëse palët bien dakord për çështje të tjera përtej 5 qershorit ne do ta mbështesim”.
Ky cikël i përpjekje për rikthimin e opozitës së rrugës në sistem, nisi me krijimin e tryezës së Këshillit Politik dhe marrëveshjen e 14 janarit. Kjo çoi në marrëveshjen e re të 5 qershorit mes PS, PD, LSI dhe Rudina Hajdarit, të opozitës së re parlamentare. Më 23 korrik, kjo marrëveshje, u votua me pikë dhe me presje nga PS në Kuvend. Ndërsa më 30 korrik, u miratuan ndryshimet kushtetuese të propozuara nga opozita e re parlamentare. Me implementimin e këtyre ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, mbyllet cikli e reformës elektorale dhe palët politike bëhen gati që tani, për zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Tejkalimi i këtij momenti të paprecedentë politik që kulmoi më 30 qershor 2019, kur u tentua injektimi i një krize artificiale nga lart, shënon një moment të ri politik për Partinë Socialiste gjatë këtij mandati. Shqipëria kaloi një provim të vështirë, duke dhënë provën e madhe, për mirëfunksionimin e sistemit demokratik. Eksperimenti politik i tentuar gjatë 2019 në Shqipëri, rrezikonte që të shndërrohej në një “pandemi”, që mund të infektonte më pas edhe demokracitë e brishta jo vetëm të Ballkanit.
Kalimi i këtij testi, është një mësim i madh demokracie dhe një mundësi e jashtëzakonshme për të nxjerrë mësimet e duhura në të ardhmen. Prova e parë, është vetëm 7 muaj larg, në zgjedhjet e pranverës së ardhshme!