Komiteti Teknik i Ekspertëve miratoi dje protokollet e sigurisë për hapjen e bareve, restoranteve dhe pishinave në ambientet e mbyllura.
Këto subjekte do të duhet të zbatojnë rregullat antiCOVID për t’u lejuar të ushtrojnë aktivitetin edhe në ambientet e brendshme.
Rovena Daja, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik shpjegoi për ATSH-në se çfarë parashikon protokolli për këto subjekte që do të rihapen pas 1 tetorit, në ambientet e tyre të brendshme.
Administratori i lokalit dhe restorantit çdo ditë duhet të bëjë vlerësimin gjendjes shëndetësore të punonjësve për simptomat e COVID-19 dhe nëse ka dyshime lajmërohet 127 dhe largohen nga puna. Asnjë punonjës nuk lejohet të futet në punë nëse është me temperaturë 37.5.
“Për të dy udhëzuesit, si për aktivitetin e pishinave të mbyllura edhe për baret dhe restorantet, për të dyja janë të njëjta rregulla që kemi vendosur për COVID në përgjithësi. Pra, duhet që higjiena të jetë maksimale dhe njerëzit duhet të mbajnë distancë nga njëri-tjetri dhe kur është e mundur të mbahet edhe maska”, tha Daja për ATSH-në.
Daja tha se, “e përbashkëta e këtyre të dyjave është fakti se gjithçka varet nga ndërgjegjja dhe sjellja e personave që shkojnë në pishina, në bare apo restoranti, stafi i pishinës stafi i restorantit. Në të dy palët si në restorant ashtu edhe në pishinë ne kemi një administrator i cili ashtu sic kemi edhe nëpër shkolla është përgjegjës për të mbarëvajtur të gjithë pjesën e respektimit të të gjitha rregullave. Në kemi këtë administratorin, i cili bën një vlerësim për ambientin e punës, higjienën, temperaturën etj. Por, edhe është përgjegjës për stafin e vet sepse mund të kesh në restorant nga stafi yt që mund të shfaqin temperaturën mbi 37.5 dhe normalisht ky person duhet të iki menjëherë në shtëpi. Duhet të lajmërojë strukturat përkatëse, të bëhet dezinfektimi dhe të gjitha hapat që dihen nga të gjithë”.
“Po ashtu do të jetë përgjegjës që të gjithë personat që do të vijnë në restorant do të zbatojnë të gjitha rregullat që duhen respektuar. Së pari, duhet të evitohen sa më shumë kontakti me lekët kesh, nëse paguhet me lekë kesh duhet të dezinfektohen, nga menuja në vjen në tavolinë duhet të jetë një menu plastike ose elektronike, ose plastike në mënyre që të bësh një dezinfektim të menusë. Po ashtu, distance e tavolinave të jetë dy metra, njerëzit të jenë në tavolinë në pak distancë me njëri-tjetrin ndërkohë që varet edhe nga ndërgjegjja e personit që shkon në restorant me shenja klinika. Gjithçka varet nga ndërgjegjja e njerëzve që do të shkojnë atje, pra mbarëvajtja e kësaj pune dhe e të gjithë stafit të restorantit që të shkojë gjithçka mirë’’, shpjegoi më tej ajo.
Në lidhje me funksionin e pishinave në ambiente të mbyllura, ekspertja e ISHP-së sqaroi se duhet koordinuar orare me grupe fëmijësh në numër të vogël.
“Edhe në punën e pishinës, administratorët duhet të rregullojnë oraret që fëmijët apo njerëzit të mos grumbullohen. Një fëmijë duhet të ketë 3 metra katrorë pishinë dhe nëse ajo do të bëjë grupe për të mësuar notin, grupet duhet të jenë me një numër të vogël fëmijët, në varësi të pishinës që ka. Nëse këta fëmijë do të vendosin në korsi të ndryshme dhe nëse do të vendosen disa fëmijë në të njëjtën korsi të madhe, fëmijët duhet të notojnë në të njëjtin krah dhe të mos përplasem me njeri-tjetrin. Të gjitha këto rregulla kanë të shkruara me hollësi sepse në pishinë ndryshon fakti sepse shtohen kontaktet dhe fëmijët përdorin disa lopata, disa dorëza, peshqirë dhe gjithçka duhet të jetë individuale. Pra, ti shkon i përgatitur me të gjitha mjetet dhe përdor mjetet që janë në pishinë”, u shpreh Daja për ATSH-në.
“Pjesa e dushit duhet bërë në shtëpi. Edhe kur shkon në pishinë, fëmija duhet të jetë i larë dhe kur të mbarojë kursin, nuk do të bëjë dush pranë ambienteve të pishinave por do ta bëjnë në shtëpi. Peshqirët dhe të gjitha mjetet e tjera duhet t’i ketë personale dhe sa më pak orare të përcaktuara sakta, sa më pak njerëz në pishinë. Duke pasur sa më pak njerëz në pishinë, ajrosje të vazhdueshme dhe dezinfektim, aq më të sigurta janë ambientet”, tha Daja.
Ekspertja e ISHP-së thotë se mbarëvajtja e gjithçkaje varet nga ndërgjegjësimi që vetë qytetarët tregojnë.
“Unë shpresoj që do të eci mirë edhe njerëzit t’a kenë kuptuar që në fund të fundit gjithçka varet nga ata dhe nëse qëndrojnë larg dhe i lënë pak puthjet e përqafimet për njëri-tjetrin, gjerat do të ecin shumë mirë”, përfundoi ndër të tjera ajo.